Kosova

Ekspertja gjermane: Për Macron shkëmbimi i territoreve mund të jetë një “temë debati”


Serbia, sipas ekspertes gjermane për Ballkanin Perëndimor, Johanna Deimel, e sheh Francën si një partnere të rëndësishme – në kuptimin, politik, ushtarak dhe ekonomik – ndërsa Franca shpreson që duke forcuar lidhjet ekonomike me Serbinë, do të “kërcënojë” rivalin e saj kryesor në Bashkimin Evropian, Gjermaninë.

Në një intervistë për “European Western Balkans”, Deimel në dritën e vizitës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Serbi, ka potencuar se qëndrimi i Macron në Beograd ka edhe karakter më të gjerë gjeopolitik në kontekstin raporteve Francë – Gjermani përbrenda Unionit.

Sipas Deimel Franca dhe Gjermania kanë nuanca në raport me qëndrimet kundrejt Kosovës.

“Për Macron, shkëmbimi i territoreve, të cilin Angela Merkel e hodhi poshtë kategorikisht, mund të jetë një ‘temë debati’, sepse tha se: ‘nuk duhet të jetë tabu’”, deklaron ajo.

Franca, kujton Diemel, gjithashtu ka dënuar “shumë fuqishëm” veprimet e ndërmarra në Veri të Kosovës, veprime të cilat sipas saj rrezikojnë të kalojnë të “gjitha kufijtë” duke i krijuar Kosovës probleme me partnerët e saj “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në”.

“Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor do të jetë vendimtar. Nëse Donald Trump rizgjidhet, shkëmbimi i territoreve mund të kthehet në axhendë”, pohon Diemel.

Franca dhe Gjermania, sipas Diemel, pajtohen në pikën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke potencuar se si Berlini ashtu edhe Parisi zyrtar kanë penguar përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, pikërisht për shkak të çështjes së Asociacionit.

Macron, sipas Diemel që nga maji i vitit 2017, ka rishikuar në masë të madhe qëndrimin e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Pesë vjet më parë, sipas Diemel, ai potencoi se “refuzon çdo zgjerim përpara reformës së thellë të BE”.

Diemel duke potencuar se një metodologji e re e zgjerimit u miratua në fillim të vitit 2020 me iniciativën e Francës, ka pretenduar se Vuçiç ka përfituar nga “kërkesa kryesore” e Macron-it, “e cila në fakt e la zgjerimin pezull”.

“E gjithë kjo funksionoi në duart e stabilokracisë së Vuçiçit – Beogradi mund të vazhdojë të sillet në mënyrë autokratike dhe, po, në të njëjtën kohë, të pretendojë se Serbia aspiron anëtarësimin në BE”, shton ajo .

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore