Kosova

Pas raportimit të Albanian Post, anulohet edhe konkursi i kundërligjshëm për Zef Dedajn nga MINT


Pas raportimit të Albanian Post që Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja parashihet të kalojë në kuadër të Qeverisë së Kosovës e ku i kishte hyrë garës për drejtor Zef Dedaj, është anuluar konkursi i kundërligjshëm për pozitën e drejtorit të kësaj agjencie në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë.

Kështu është bërë e ditur në një vendim të datës 28 gusht të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në kuadër të ministrisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari.

“Anulohet konkursi për arsyeje të hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime të Qëndrueshme i cili parasheh rikustriuimin dhe ndarjen e AIPNK në dy agjenci”, thuhet në vendim të MINT-it.

Vendimi

Në garën kryesore ishin përzgjedhur Dedaj dhe Irfan Lipovica, derisa ky i fundit ishte vendosur aty vetëm sa për të plotësuar kushtin ligjor dhe për të vazhduar me procedua të përzgjedhjes.

Dedaj është i i favorizuari i ministres Hajdari, meqë kjo e fundit kishte ndarë mbi 6 mijë euro nga buxheti i ministrisë për shkollimin e tij.

Sipas një raportimi të mediumit “Demokracia”, Dedaj ishte pjesë e grupit të këshilltarëve të kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për ta ndjekur kursin online 3-javor në “HarvardKennedySchool”.

“Askush nuk dëshiron të punojë me të” – Pasi ia lanë punën 12 këshilltarë e 2 shefa kabineti, Rozeta Hajdari emëron shoferin këshilltar politik

Pos këtij konkursi, një ditë parë Albanian Post ka raportuar se është anuluar edhe ai për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, apo Kryeshefit në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit.

Në garën kryesore ishte përzgjedhur Irfan Lipovica i cili ishte nën hetime dhe ishte arrestuar për rastin e keqpërdorimit me rezerva shtetërore.

Për këtë pozitë, pos Lipovicës në garë ishte edhe Dedaj i cili ishte vendosur aty vetëm sa për të plotësuar kushtin ligjor dhe për të vazhduar me procedua të përzgjedhjes.

Lipovica që nga marrja e mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur pozita të rëndësishme, njëjtë si Dedaj.

Këta dy kanë bashkëpunuar për dy pozita shumë të rëndësishme në Ministrinë e Tregtisë, në mënyrë që konkurset të mos iu dështojnë në mungesë të kandidatëve.

Lipovica ishte arrestuar me 18 gusht të vitit të kaluar, bashkë edhe me zyrtarin tjetër Hafiz Garën dhe afaristin Ridvan Muharremi.

Lipovica dhe Gara dyshohen për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Për Lipovicën, në dosjen e Prokurorisë, thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Sipas Prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Lipovica, me 25 shkurt 2022, siç sqaron dosja e tij në Prokurori, kishte adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”.

E gjithë kjo me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.

Pas raportimit të Albanian Post, anulohet konkursi i kurdisur për ish të arrestuarin Irfan Lipovica

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore