Kosova

Paga minimale bruto rritet në 350 euro, Mustafa: Kjo rritje s’do të ndryshojë jetën e qytetarëve


Arben Mustafa

Rritja e pagës minimale në 350 euro bruto – vendim ky i cili u mor në mbledhjen e 218-të të Qeverisë së Kosovës të mërkurën – do të kishte relevancë nëse i njëjti vendim do të merrej 4 vjet më parë në fillim të mandatit të ekzekutivit.

Kështu të paktën mendon Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në vlerësimin e të cilit kjo rritje nuk do ta ndryshojë jetën e qytetarëve për shkak të çmimeve të rritura.

“Ky lajm do të kishte zënë më tepër vend para katër viteve kur e kanë filluar mandatin, por tani në këto kushte të çmimeve të rritura, nuk dihet kujt do t’ia ndryshoj jetën ky vendim”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Qeveria, përkatësisht Ministri i Financave, sipas Mustafës, do të ishte mirë të tregojë se “çka po bënë për zhvillimin ekonomik dhe, rrjedhimisht, për rritjen e pagës mesatare në Kosovë, e cila ka ngecur e fundit në rajon dhe po e mbanë Kosovën në krye të listës së varfërisë në Evropë”.

“Zhvillimi ekonomik e as rritja e pagave nuk vijnë me improvizime të tilla në prag të fushatës e as me njoftime të kohëpaskohshme të Ministrit të Financave për shpërndarje të shtesave, në stilin e një zyrtari informues të ministrisë”.

Rritet paga minimale në 350 euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore