Kosova

Kurti shpreh gatishmëri e vullnet për të bashkëpunuar dhe komunikuar me KFOR-in


Stuart Munsch dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën në zyrën e tij në Kryeministri ka takuar Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Amerikan Stuart Munsch, ku ndër të tjera, siç thuhet në komunikatë, Kurti ka shprehur “gatishmërinë dhe vullnetin” e Qeverisë për “bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm” me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in.

“Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me misionin e KFOR-it në Kosovë, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm, në sajë të punës së përbashkët e në shërbim të paqes dhe sigurisë paralelisht me sundimin e ligjit dhe rendit”, potencohet në komunikatë.

Përgjatë bashkëbisedimit, siç njoftohet në komunikatë, Kurti e Munsch kanë diskutuar “rreth zhvillimeve në vend e rajon dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi”.

“Gjithashtu Kurti nënvizoi se shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s, kryeministri nënvizoi synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër Munsch, siç njofton komunikata për media e publikuar në faqen zyrtare të Komandës së Napolit në platformën sociale, X, gjatë takimit ka vënë theksin në aktivitetet e KFOR-it “për sigurinë e qëndrueshme” në Kosovë dhe mbështetjen e NATO-s “për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Munsch gjatë qëndrimit në Kosovë ka takuar edhe Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas dhe ka realizuar një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, meqë kjo e fundit për shkak të një gripi sezonal nuk ka qenë prezentë në Presidencë.

Vizita e admiralit amerikan të aleancës vjen pas asaj të Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe iniciativën për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore