Kosova

Gashi do të përballet me një interpelancë për incidentin në Aeroportin e Shkupit


Afrim Gashi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në seancën plenare që do të mbahet më 3 shtator të martën do të përballet me një interpelancë pas incidentit në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku e përfshirë ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kërkesa për interpelancë ndaj Gashit u bë nga deputetët e partisë E Majta.

Zyra e Presidentes së Kosovës akuzoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, më 1 gusht, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit.

Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, tha se pavarësisht faktit që i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai  ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për t’i hapur rrugën”.

Në mbrëmjen e 2 gushtit, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut shprehu “keqardhje për keqkuptimet që ndodhën gjatë udhëtimit të djeshëm të presidentes Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit”.

Pala maqedonase më 1 gusht po ashtu tha se ka nisur hetimin e këtij rasti. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut deklaroi se pasi Osmani kaloi kontrollin kufitar, “erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.

Presidenca kosovare më 1 gusht tha se e kishte informuar kryeparlamentarin Afrim Gashi për incidentin, duke e falënderuar për ndihmën.

Gashi, më 2 gusht, sqaroi se ai ka ndërhyrë vetëm për të “shmangur një incident diplomatik”.

Nga kompania TAV e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore