Kosova

Nagavci i harron tekstet, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor


Arbërie Nagavci

Ndonëse Ministria e Arsimit edhe këtë vit dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci e cila drejton dikasterin në fjalë, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollo, Nagavci, ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2024-2025.

“Ky UA përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor 2024/2025 në të gjitha institucionet publike dhe private, respektivisht të vitit mësimor sipas niveleve, pushimin vjeshtor, pushimin dimëror, pushimin pranveror, festat publike për nxënësit e shkollave fillore, klasave parafillore, shkollave të mesme të ulëta, shkollave të mesme të larta, institucionet parashkollore dhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim”, ka shkruar ajo.

Deri para dy vjetëve shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Ministria e Arsimit edhe këtë vit si vitin e kaluar ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore