Kosova

Qeveria “heq dorë” nga përgjegjësitë, kërkon llogari nga minatorët për hajnitë në Trepçë


Ilustrim: Xhelal Sveçla, Artane Rizvanolli dhe Albin Kurti

Një vizitë e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli te minatorët e Trepçës të premten nxiti një debat në mes të opozitës dhe ekzekutivit.

Ajo çfarë ishte e pazakontë gjithë në këtë mes ishte llogaria që qeveritarët ua kërkuan minatorëve për hajnitë në Trepçë, ndonëse të njëjtit menaxhojnë për katër vjet me ndërmarrjen publike në fjalë.

Në pamjet që u publikuan nga mediat lokale, gjatë një bisedë të Sveçlës me njërin nga minatorët, kreu MPB-së dëgjohej teksa i ftonte minatorë që “hajde po punojmë bashkë, kushdo që vjedh me i nxanë”.

“Nuk mundemi me i nxan na minatorët”, ia kthente njëri nga minatorët, “nuk kem faj, ne punojmë në minierë”.

Sveçla insistonte duke theksuar se “bashkë, bashkë, si kolektiv”.

“Sepse unë nuk e di kush po vjedh, ma mirë e dini ju sesa unë. E jona… si Ministri e Punëve të Brendshme dhe policia është me nxan secilin që vjedh djersën e juaj…”, shtonte ministri.

“Ju e dini më mirë kush janë ata”, i thoshte minatori, derisa Sveçla përgjigjej se “jo unë s’e di, më mirë e dini ju se punoni me ta”.

Ky debat i pazakontë mes Sveçlës – përshkrimi i punës i së cilit s’ka të bëjë fare me një ndërmarrje publike – dhe minatorëve nxiti reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku, duke komentuar gjithë këtë ndodhi shkroi në platformën sociale, Facebook, se “këta kanë keqkuptuar shtetin” duke potencuar se ministrat po kërkojnë llogari hajnish “besoni ose jo minatorëve të ngratë të lënë pa paga për tre muaj rresht!”.

“Ka katër vite që menaxhojnë vet me Trepçë. Ky pushtet ka caktuar Bordin e Trepçës! Ky pushtet ka caktuar menaxhmentin e Trepçës! Ky pushtet ka caktuar fatin pa paga të Trepçës! Përgjegjësi e plotë! Por marre nuk kanë hiç”, vlerësoi ai.

Në anën tjetër në mënyrë krejt absurde ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në mbikëqyrjen e së cilës është edhe ndërmarrja publike “Trepça” ndërsa potencoi se “Trepça është objekt i keqpërdorimit të pafundëm” tha se “ne u morëm vesh shumë mirë” për që “nuk duhet të fshihet keqpërdorimi prapa djersës së minatorit”.

Ajo ndër të tjera tha se “me shumë kënaqësi do të bashkëbisedoj me ata/o që janë sinqerisht të interesuar për sfidat e Trepçës e çfarë po ndodh aty”.

Ndërsa potencoi se në Trepçë më herët “janë punësuar njerëz” vetëm për vota e janë keqpërdorur minatorët “për qëllime politike”, Rizvanolli garantoj se një gjë e tillë s’po ndodh më.

Ndërkohë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nëpërmjet një postimi në platformën sociale në Facebook ndërsa kritikoi qasjen e ekzekutivit ndaj minatorëve, vlerësoi se Qeveria në vend se t’i përmirësojë kushtet për minatorët, po kërkon “llogari për dështimet e veta”.

“Janë këta dështakë që kanë emëruar Bordin dhe Menaxhnentin e Treçës, e jo minatorët. Premtimet elektorale për Trepçën kanë qenë propagandë sikurse për çdo fushë tjetër. Mashtrimet do të marrin fund së shpejti”, shkroi ai.

Për më shumë se dy muaj minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk arritën t’i marrin pagat,

Për shkak të mungesës së financave, Albanian Post raportoi se minatorët kishin gjendje të rënduar psikologjike e financiare.

Pas kësaj gjendjeje të krijuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës më 14 gusht mori vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”.

“Për ndërmarrjet publike do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Në ndërkohë brenda dy javëve të fundit menaxhimenti i Trepçës me vendim të Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit ekzekutiv, Faton Ahmeti, largoi nga puna më shume se 13 minatorë me arsyetimin se kanë “kryer shkelje të rënda të detyrave të punës” pa e specifikuar konkretisht për çfarë shkelje bëhet fjalë.

Megjithatë Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës garantoi se këto largime nga puna nuk kanë të bëjnë fare me shprehjen pakënaqësive përmes protestave apo ndonjë hakmarrje në drejtim të pakënaqësive të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore