Kosova

Hoti: Qeveria kërkon llogari nga minatorët për dështimet e veta


Avdullah Hoti

Si “veprime që turpëron” gjithë Qeverinë e Kosovës e ka cilësuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, vizitën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, të premten në ndërmarrjen publike “Trepça”, ku hodhi akuza për vjedhje në drejtim të disa minatorëve, pa i specifikuar konkretisht.

Qeveria, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, në vend se t’i përmirësojnë kushtet për minatorët duke bërë investime e duke gjetur tregje për shitje të mineraleve ose duke sjellur investitor të jashtëm, po kërkon llogari nga minatorëve për “dështimet e veta”.

“Janë këta dështakë që kanë emëruar Bordin dhe Menaxhnentin e Treçës, e jo minatorët. Premtimet elektorale për Trepçën kanë qenë propagandë sikurse për çdo fushë tjetër. Mashtrimet do të marrin fund së shpejti”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Të premten Sveçla i shoqëruar me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan minatorët e Trepçës.

Në pamjet që janë publikuar nga mediat lokale, gjatë një bisedë të Sveçlës me njërin nga minatorët, kreu MPB-së dëgjohet teksa i fton minatorë që “hajde po punojmë bashkë, kushdo që vjedh me i nxanë”.

“Nuk mundemi me i nxan na minatorët”, ia kthen njëri nga minatorët, “nuk kem faj, ne punojmë në minierë”.

Sveçla insiston duke theksuar se “bashkë, bashkë, si kolektiv”.

“Sepse unë nuk e di kush po vjedh, ma mirë e dini ju sesa unë. E jona… si Ministri e Punëve të Brendshme dhe policia është me nxan secilin që vjedh djersën e juaj…”, shton ministri.

“Ju e dini më mirë kush janë ata”, i thotë minatori, derisa Sveçla përgjigjet se “jo unë s’e di, më mirë e dini ju se punoni me ta”.

Pastaj, minatori duke iu dridhur zëri, duke shpërfaqur plotë emocione i tregon Sveçlës dhe Rizvanollit për kushtet e rënda të tij dhe familjes së tij, për shkak se nuk mori pagë për dy muaj.

“Që dy muaj ditë pasha zotin… qetash kthehen fëmija mos me pas bukë me hangër’ ministresh, nuk e di a është ministresh a s’është, nuk e di kush është, e tum’ thanë fëmija a ka rrogë a s’ka, vallahi mu m’kish ardh marre me kanë në ven tanin, besomë s’isha ardh hiç. Me ardh unë në punë e me ua marrë fëmijëve bukën, kjo është vdekje”, thotë minatori.

Përgjigje këtë radhë minatori mori nga Ministrja Rizvanolli.

Ajo i thotë se atij se “duhesh me pas parasysh kush është duke ia marrë qat’ bukë”, duke aluduar kështu se dikush është duke vjedhur në minierë, derisa u tregoi atyre se si kjo ndërmarrje ka operuar me humbje.

“Ka shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka” – Kurti ndan 4 milionë euro për pagat e minatorëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore