Kosova

Kosova mbështet fuqishëm luftën çlirimtare të Ukrainës, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka njoftuar se ka pritur në një takim në ndërtesën e Qeverisë qytetarët ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Kurti ka potencuar se Kosova do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci dhe “përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre”.

“Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane”, ka shkruar ai.

Në fund Kurti ka bërë edhe një thirrje, duke uruar ukrainasit për Ditën e Pavarësisë.

“Le të triumfojë lufta e drejtë për liri, kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse. Gëzuar Ditën e Pavarësisë për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët e saj”, shtoi ai.

Më 24 shkurt Rusia nisi invadimin e territorit të Ukrainës.

Që nga ajo ditë deri më sot lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore