Këtë të premte (23 gusht), ka përfunduar afati për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuara nga strukturat ilegale të Serbisë, në ato legale RKS. Shtyrje, siç ka ndodhur disa herë më parë, më nuk do të ketë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për Albanian Post se janë konvertuar 6 mijë e 509 patentë shoferë gjithsej.
Elshani, po ashtu, njoftoi se në dy ditët e ardhshme do t’u jepet afat atyre që kanë ende patentë shoferë ilegalë e që policia has në ta, për t’i njoftuar se me të njëjtit nuk është i mundshëm qarkullimi më.
Pas kësaj, pra nga e hëna, për këdo që policia gjen se ka patentë shoferë ilegalë në trafik, do të shqiptohen gjoba, pasi që kjo tani llogaritet kundërvajtje.
“Deri më sot në orën 16:00, konvertimi i patentë shoferëve ka qenë proces politik, pas orës 16:00 është proces policor, pra trajtohet si kundërvajtje. Merret policia me ta”, tha Elshani.
Më 7 maj, ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kishte marrë vendim që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.
Pas skadimit të këtij afati, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë paralajmëruar se nuk do të jetë e mundur vozitja në Kosovë me patentë shoferë ilegalë serb.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Haxhiu garanton: Asnjë ministër s’krijoi pasuri duke e mbajtur këtë pozitë, qytetarët e dinë
-
Haxhiu njëherë thotë se ura s’është për dialog, pastaj pranon se Bislimi diskutoi në Bruksel për urën
-
Autogoli i Agim Ademit në minutën e 90-të
-
NATO edhe pas takimit me Bislimin konfirmon se do ta vazhdojë prezencën në urën mbi Ibër