Kosova

NATO dëshiron që Serbia të luajë një rol pozitiv në rajon, thotë Ruge


Boris Ruge

NATO dëshiron që Serbia të luajë një rol pozitiv në rajon, bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë Boris Ruge.

Këto komente, Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pas takimit që ka pasur me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç.

“Sot përfundova turneun tim në Ballkanin Perëndimor në Beograd. Ministri i Jashtëm Marko Gjuriç dhe unë diskutuam partneritetin e Serbisë me NATO-n si dhe përpjekjet e Aleancës në rajon. NATO dëshiron ta shohë Serbinë të luajë një rol pozitiv, bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Ruge.

Gjatë vizitës së tij në Serbi, Ruge është takuar edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Pas këtij takimi, po në X, ai theksoi se pret nga Serbia që të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për sulmet e majit dhe shtatorit të vitit të kaluar në pjesën Veriore të Kosovës.

Ruge, i cili të martën vizitoi Kosovën, ka përmendur sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe sulmin terroristë të paramilitarëve serbë, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, në fshatin Banjë të Zveçanit.

“Po ashtu kemi diskutuar çështjet rajonale, përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO llogaritë në Serbinë që të ndihmojë të sigurojë përgjegjësi të plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit të vitit 2023”, ka shkruar Ruge.

Gajtë qëndrimit të tij në Kosovë, Ruge është pritur nga Presidentja Vjosa Osmani, ku bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve, posaçërisht në kohën kur qeveria e Kosovës është duke e paralajmëruar hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore