Kosova

Zyrtari i lartë i NATO-s: Vendimet për hapjen e urës Ibër duhet të vijnë përmes dialogut


Boris Ruge dhe Vjosa Osmani

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, ka thënë se gjatë takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ripërsëritur qëndrimin e Aleancës se vendimi për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, duhet të vijë përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përmes një postimi në platformën X, Ruge ka theksuar se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, ka vlerësuar Ruge.

NATO është krenare, potencoi ai, që ka ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë për 25 vjet.

“Sot me Vjosa Osmanin bëmë një bilanc të asaj që u arrit. Për urën Ibër, nënvizova pikëpamjen e NATO-s se vendimet duhet të vijnë përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”, shtoi Ruge ndër të tjera.

Nga ana tjetër, Presidentja Osmani, pas takimit me zyrtarin e lartë të NATO-s, ka deklaruar se shteti që ajo udhëheqë është i gatshëm që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.

“Sot, në takim me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Ruge, ritheksova mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s, si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë”, shkroi e para vendit në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është duke insistuar në hapjen e plotë të urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pasi që aktualisht shfrytëzohet vetëm për këmbësorë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), kanë kundërshtuar hapjen e urës në këto momente, derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore