Kosova

Kosova pritet të marrë pjesë për herë të parë si anëtare e asociuar në sesionin e AP së NATO-s në Montreal të Kanadasë


Ilustrim

Kosova pritet të marrë pjesë në sesionin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që do të zgjasë nga 22 deri më 25 nëntor 2024. Në bazë të agjendës, në sesionin e 70-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Montreal të Kanadasë pritet të marrin pjesë rreth 300 delegatë nga shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë anëtarët e asociuar dhe anëtarët vëzhgues.

“Rreth 300 delegatë nga 57 shtete anëtare të Asamblesë Parlamentare të NATO-së, anëtarë të asociuar, vëzhgues e partnerë rajonal do të informohen nga përfaqësues të qeverive, zyrtarë të NATO-s, akademikë dhe ekspertë mbi çështje me interes për aleancën”, ka njoftuar Parlamenti i Kanadasë.

Në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, në maj 2024, delegatët e NATO-s me shumicë votash vendosën që Kosovës t’i avancohet statusi nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. Pra, vendi i vogël ballkanik pritet që për herë të parë të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s si anëtare e asociuar.

Megjithatë, akoma nuk është zbuluar agjenda e plotë. Por, duke qenë se anëtarët e asociuar mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, atëherë pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës është pothuajse e sigurt.

Në seancat plenare, anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitetet e posaçme.

Parlamenti i Kosovës, prej vitesh, ka pasur statusin e delegacionit vëzhgues në përbërje prej dy ulëseve. Por, pas avancimit të statusit në në anëtare të asocuar do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Asambleja Parlamentare e NATO-s nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore