Kosova

Osmani cakton datën: Zgjedhjet mbahen më 9 shkurt


Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Ato do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Osmani, përmes një postimi në Facebook, të premten.

“Urime”, ka shkruar Osmani shkurt, derisa ka publikuar vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në dekretin e nënshkruar nga Osmani, presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Dekreti i Presidentes Osmani për shpalljen e zgjedhjeve

Caktimi i datës së zgjedhjeve vjen pas takimit që e para e vendit ka pasur me partitë parlamentare në vend.

Pushteti, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse nuk mori pjesë në takimin e thirrur nga presidentja, përmes një letër të dërguar nga kreu i saj, njëherit kryeministri Albin Kurti, ka propozuar 2 shkurtin si datën për zgjedhje të reja.

Nga ana tjetër, opozita – Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që morën pjesë të gjithë në takim, njëzëri kanë propozuar 26 janarin si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Mirëpo, Osmani nuk ka vendosur për asnjërin nga këto dy propozime, por për një datë tjetër, 9 shkurtin.

Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.

Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.

Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.

Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore