Kosova

Ka rrezik për dhunë nëse hapet ura e Ibrit – rrezikohen ushtarët amerikanë, paralajmëron Hovenier


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka treguar arsyen se pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe shtetet e QUINT-it, janë kundër që në këtë fazë të hapet për qarkullimin e automjeteve ura kryesore mbi lumin Ibër.

“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë”, ka thënë Hovenier në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Sipas tij SHBA-të “marrim shumë seriozisht veprimet” që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.

Hovenier nuk i është përgjigjur pyetjes se kush mund të shkaktojë dhunë në rast se ura mbi lumin Ibër hapet.

“Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore