Kosova

Zjarri i madh në Prevallë, Selmanaj: Alarm për pushtetin qendror, banorët në këtë zonë janë në “panik serioze”


Driton Selmanaj

Që nga e enjtja e 8 gushtit Mali Oshlak në Fshatin Turistik të Prevallës është kapluar nga zjarri, i cili tashmë po rrezikon edhe vendbanimet.

Lidhur me gjendjen në Prevallë ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, sipas të cilit zjarret në këtë zonë duhet të jetë alarm për të gjithë – pushtetin qendror, lokal dhe të gjitha institucionet e tjera.

“Prevalla nuk është thjesht një mal apo një fushë, është pasuri kombëtare e cila pret shumë të sëmurë dhe turistë”, ka shkruar ai.

Alarmi, sipas Selmanaj, duhet të jetë më i madh meqë, sipas tij, bizneset dhe banorët në këtë zonë janë në “panik serioze”.

“Përballja e zjarrfiksëve me ato mjete që kanë nuk është e mjaftueshme. Duhet intervenime nga ajri, dhe atë mundësi duhet ta kërkojnë nga KFOR-i dhe nga shtetet mike. Qëndrojmë në krah të zjarrëfiksëve, të cilët meritojnë përkrahje maksimale dhe mirënjohje”, ka shtuar ai.

Albanian Post që nga 8 gushti – ditën kur u përfshi mali nga zjarri – po raporton për situatën atje.

Kaplohet nga zjarri një pjesë e malit Oshlak në Prevallë

Në një bisedë për Albanian Post, një banor nga kjo zonë ka treguar se zjarri që nga e enjtja nuk është ndalur, madje mbrëmë tha se rreziku u shtua dhe theksoi që zjarri “është 150 metra afër shtëpive”.

“Zjarri ka filluar më datën 5 gusht, domethënë që nga kjo datë nuk është ndalur asnjë ditë. Mirëpo, nuk pati ndonjë ndërhyrje as prej zjarrfikësve as prej askujt dhe prapë rifillojë. Mbrëmë ka qenë goxha rrezik edhe fshati sepse filluan edhe pishat të digjen”, ka treguar ai për AP.

Ai theksoi se zjarri ka depërtuar edhe te një pjesë e pishave tek Parku Kombëtar. “Ky park i ka disa pisha të veçanta që vijnë turistët enkas për këto pisha”, shtoi.

Banori tregoi se tashmë është vështirë të kalohet kjo gjendje, derisa thekson se institucionet relevante nuk janë duke e menaxhuar mirë këtë situatë.

Por, ndryshe nga banori pretendojnë nga Komuna e Prizrenit.

Përmes një postimi në Facebook, nga kjo komunë kanë njoftuar se kryetari Shaqir Totaj, ka zhvilluar të martën një takim me shtabin emergjent për gjendjen me zjarre në Prevallë, derisa kanë thënë se e njëjta është nën kontroll.

Komuna e Prizrenit thotë se zjarri është nën kontroll, banorët e Prevallës alarmojnë se gjendja po përkeqësohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore