Kosova

23 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit


Përfaqësuesit shqiptarë dhe ata maqedonas duke nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, më 13 gusht 2001.

Këtë të martë të 13 gushtit bëhen 23 vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund luftës në Maqedoni (tani Maqedonia e Veriut).

Marrëveshja e Ohrit ishte nënshkruar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve më 13 gusht 2001, në mes të përfaqësuesve maqedonas dhe përfaqësuesve të shqiptarëve në Maqedoni.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje i kishte dhënë fund luftës së armatosur në mes të forcave policoro-ushtarake maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) – me komandant suprem Ali Ahmetin.

Kjo luftë kishte ardhur si rezultat i shtypjes dhe diskriminimit sistematik që regjimi maqedonas ua bënte shqiptarëve atje, që përbëjnë afër 30 për qind të popullsisë – komuniteti i dytë më i madh atje.

Marrëveshja, që i dha fund luftës së armatosur, u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm maqedonas, Boris Trajkovski, kryeministri Lubço Georgievski dhe lideri i partisë opozitare maqedonase, Branko Cërvenkovski.

Ndërsa, nga pala shqiptare nënshkrues të kësaj marrëveshje ishin Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbën Xhaferi, dhe kreu i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Imer Imeri.

Marrëveshja e Ohrit ishte arritur pas dhjetë ditë negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Rol vendimtar kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që përfaqësoheshin nga ndërmjetësit James Perdew dhe Francois Leotard.

Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes ishte decentralizimi, përmes të cilit parashihej një rritje e decentralizmit të pushtetit, për t’i dhënë kështu më shumë kompetenca komunave lokale, veçanërisht atyre me shumicë shqiptare.

Element tjetër i kësaj marrëveshje ishin dispozitat që lejonin përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike.

Parashihej edhe garantimi i një përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore, forcat e sigurisë dhe institucionet publike.

Pikë tjetër e rëndësishme ishte ndarja e pushtetit në nivel qendror, përmes përfshirjes së partive politike shqiptare në qeveri, duke siguruar një qeverisje më gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, marrëveshja përfshinte edhe një amnisti për luftëtarët e UÇK-së.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte një hap kyç drejt stabilizimit të Maqedonisë, e cila vendosi bazat për një bashkëjetesë më të mirë në mes të komuniteteve, posaçërisht atyre më të mëdha (maqedonasve dhe shqiptarëve), duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Mirëpo, 23 vjet pas nënshkrimit, Marrëveshja e Ohrit vazhdon që të mos zbatohet në tërësi, dhe tërë kjo për shkak të hezitimit të palës maqedonase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore