Kosova

Prizreni me shtab emergjent për shuarjen e zjarreve në Prevallë


Foto: Komuna e Prizrenit

Për shkak të situatës së krijuar nga zjarret në rajonin e Prevallës ditët e fundit, në orët e para të mëngjesit të së dielës është ngritur shtabi emergjent për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve, ka njoftuar Komuna e Prizrenit përmes një komunikate të lëshuar në rrjetin social “Facebook” gjatë ditës.

“Në këtë aksion është angazhuar një numër i madh i zjarrfikësve prizrenas, Policia e Kosovës, zyrtarë të Parkut Nacional, motoristë e qytetarë vullnetarë. Aktualisht, gjendja është nën kontroll, zjarri është sipërfaqësor, derisa të gjitha ekipet janë të përkushtuara maksimalisht për ta mbrojtur mjedisin dhe sigurinë e banorëve të zonës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Ndryshe, një zjarr i madh është përhapur në pyjet e Oshlakut më herët gjatë javës, përkatësisht më 5 gusht, ndërsa Parku Nacional “Sharri”, më 8 gusht, ka bërë thirrje publike që institucionet të reagojnë. Në pamundësi të intervenimit nga toka, ndihmë për intervenim nga ajri i është kërkuar edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).

Sharri është Parku i parë Nacional i shpallur në Kosovë, në vitin 1986. Ai menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, dhe të disa ligjeve mbështetëse, që kanë të bëjnë me mjedisin, natyrën dhe pyjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore