Kosova

Krasniqi e cilëson “absurde” kërkesën për mos-hapjen e Urës së Ibrit


Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, në takimin e organizuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut rreth “bashkëpunimit ndëretnik” në Kosovë, ka thënë se kërkesa për mos-hapjen e urës mbi lumin Ibër nuk është vetëm e paarsyeshme, por edhe absurde, sepse, sipas tij, hapja e urës që aktualisht ndan qytetin nuk e rrezikon paqen.

“Dua të ritheksoj se ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i lehtësimit të kontakteve të të gjithë qytetarëvë të Mitrovicës se Veriut dhe Mitrovicës së Jugut. Konsideroj se jo vetëm që nuk ka arsye, por tashmë është absurde vazhdimi i mbajtjes së urës mbyllur… Jemi të bindur që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë”, ka deklaruar Krasniqi.

E disa qytetarë nga radhët e komunitet serb, të cilët kanë marrë pjesë në këtë debat të organizuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut, kanë theksuar se nuk është e nevojshme që të hapet ura për vetura, ndërsa gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi rreth pranisë së madhe policore në veri të vendit.

Para hapjes së urës mbi lumin Ibër, ekzekutivi kosovar synon të testojë fillimisht “kapacitetit mbajtës të strukturës ekzistuese të urës”. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “IPE PROING SHPK” në Prishtinë, punëtorët e së cilës veçse kanë nisur inspektimet teknike të urës së Ibrit.

Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), më 2 gusht, kanë deklaruar se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment, ndërsa Forca e NATO-së në Kosovë (KFOR), ka theksuar se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore