Kosova

Kaplohet nga zjarri një pjesë e malit Oshlak në Prevallë


Kaplohet nga zjarri një pjesë e malit Oshlak në Prevallë

Një pjesë e malit Oshlak në fshatin turistik në Prevallë, të enjten, është përfshirë nga zjarri, burimi i të cilit nuk dihet ende.

Zjarri, siç shihet në videot e siguruara nga Albanian Post, ka kapluar një pjesë të konsiderueshme të malit Oshlak, i cili është jo shumë larg vendbanimeve.

Siç mëson Albanian Post, zjarri ka kapluar edhe pishat e zeza në malin Oshlak, të cilat frekuentohen nga turistët për arsye shëndetësore.

Zjarrfikësit kanë filluar lokalizimin e zjarrit, por vetëm me sasi të vogla të ujit, pasi rruga është e padepërtueshme për automjetet e zjarrfikësve.

Kjo pjesë e malit Oshlak, siç thonë banorët e fshatit turistik të Prevallës për Albanian Post, po kaplohet nga zjarri në tre katër ditët e fundit.

“Zjarrfikësit dhe anëtarët e Parkut Kombëtar kanë arritur ta ndalin zjarrin këto ditët e fundit, por sot në mëngjes zjarri ka filluar përsëri. Sipas vlerësimit tim zjarri është i qëllimshëm, zjarrfikësit po arrin ta ndalin zjarrin në mbrëmje, ai në mëngjes po shfaqet përsëri”, ka thënë një banor i fshatit turistik të Prevallës për Albanian Post.

“Në rast se zjarri te pishat e zeza nuk ndalet atëherë mund të rrezikohet edhe vetë fshati i Prevallës”, alarmon banori i fshatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore