Kosova

Çka janë saktësisht pasaportat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, të cilat tash po i njeh BE-ja


Pasaporta ilegale serbe

Bashkimi Evropian ka vendosur që t’i njoh pasaportat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, të cilat deri më tash nuk i njihte dhe për të cilat nuk vlente udhëtimi pa viza, njëjtë si për mbajtësit e pasaportave të rregullta serbe.

Por, çka saktësisht janë këto pasaporta?

Askush s’e ka të qartë propozimin e KE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe

Autoritetet e Serbisë lëshojnë disa pasaporta të veçanta për serbët e Kosovës, sipas të cilave Kosova është pjesë e shtetit serb.

Me këto lloj pasaportash janë të pajisur serbët që jetojnë në Kosovë.

Ato nuk janë identike si pasaportat për serbët që jetojnë në Serbi.

Gjithashtu, ndryshe nga pasaportat për qytetarët që jetojnë në Serbi që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisw, këto pasaporta lëshohen nga një institucion i quajtur Drejtoria Koordinuese serbe në Beograd.

Në dhjetor të vitit 2009, kur Bashkimi Evropian kishte vendosur t’ia liberalizojë vizat Serbisë për zonën Schengen, liberalizimi i vizave nuk kishte vlejtur edhe për këto pasaporta që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, duke vendosur kështu një mosnjohje për këto dokumente si të rregullta.

Por, në vitin 2023 Bashkimi Evropian përmes Komisionit bëri një propozim që të ketë heqje të vizave edhe për këto pasaporta, duke i njohur edhe ato si dokumente valide.

Propozimin e komisionit tash e ka aprovuar edhe Këshilli Evropian (praktikisht qeveria e BE-së), duke i bërë ato zyrtarisht dokumente valide për BE-në.

Kush i mban këto pasaporta?

Serbët e Kosovës.

Për shembull, një serb që jeton në Kosovë, në qytetin e Mitrovicës së Veriut, Prishtinës, apo cilido qytet tjetër, është I pajisur me një pasaportë të tillë ku i thuhet vendi I lindjes “Mitrovicë, Serbi”.

Kjo njohje e këtyre pasaportave praktikisht është lëvizje e BE-së nga qëndrimi i deritanishëm neutral i statusit të Kosovës, sepse tash për BE-në nuk është problem që në një dokument shkruan “Prishtinë, Serbi”, apo qytetet të tjera të Kosovës.

Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”. Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore