Kosova

Policia e Kosovës ndalon pesë persona në veri nën dyshimin se vendosën stikersa dedikuar terroristëve të Banjës


Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë disa persona në veri të vendit duke ngjitur “pamflete” dedikuar kryesve të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – vitin e kaluar, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Albanian Post se autoritetet kanë hapur rast për nxitje të urrejtjes.

“Sot, rreth orës 01:00 të mëngjesit, një person është kapur duke ngjitur disa pamflete dhe pas verifikimit është iniciuar rasti për nxitje të urrejtjes. Ky person me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar dhe deri tani janë identifikuar edhe katër persona të tjerë”, ka thënë Elshani, duke shtuar se të gjithë personat e identifikuar apo të intervistuar janë të mitur.

Foto: Policia e Kosovës

Në disa lokacione në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok – javën e kaluar, janë shpërndarë gjithashtu posterë luftënxitës nën mesazhin “komandant suprem, jemi duke të pritur” dedikuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, krahas atyre “kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Ndryshe, shfaqja e këtyre posterëve e mesazheve në veri të territorit kosovar vjen në kohën kur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese. Përkundër se situata në është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore