Kosova

Katër kosovarë kalojnë ilegalisht kufirin me Serbinë, ndalohen nga policia


Policia e Kosovës.

Një veturë me targa të Serbisë është ndaluar në Leposaviq nga Policia e Kosovës, ku dyshoheshin se katër kosovarë ilegalisht kanë kaluar kufirin në Kosovë – Serbi dhe anasjelltas.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh, teksa rasti është cilësuar si “kalim i paautorizuar i kufirit”.

“Policia gjatë patrullimit ka ndaluar një veturë me targa të Serbisë ku ishin katër të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se ilegalisht kanë kaluar kufirin Republika e Kosovës – Serbi dhe anasjelltas”.

“Të njëjtit janë verifikuar por nuk kanë rezultuar si persona të kërkuar”, thuhet në raportin e policisë.

Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon të jetë në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, tri raste të dhunës në familje janë raportuar në tri komuna të ndryshme.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshje duke e ofenduar e kishte kapur atë për fyti dhe kishte tentuar ta dëboj nga shtëpia. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Po ashtu, edhe në Komunën e Pejës është arrestuar një person për dhunë në familje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti fillimisht e kishte ofenduar verbalisht e më pas e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësorë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Edhe në rastin tjetër një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Edhe në Komunën e Prishtinës, është raportuar një rast “zjarrvënie & shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Më 12.06.2024, pas hetimeve të zhvilluara, është lokalizuar dhe është arrestuar një mashkull kosovar si i dyshuar për djegien e tri veturave. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Ndërkaq, në Komunën e Hajvalisë është raportuar për një person pa shenja jeta, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti është vlerësuar si “hetim mbi vdekjen”.

“Është pranuar informata për një person pa shenja jete. Rastit i janë përgjigjur njësitë relevante policore. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”.

Ndërsa në Prishtinë, është raportuar një rast për “armëmbajtje pa leje, posedim i substancave narkotike”.

“Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe janë konfiskuar: një pistoletë me një fishek, një brisk, një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 10 gramë, një degë e bimës marihuanë, dy pako rizlle dhe dy pjesë të mullirit për bluarje”.

I dyshuari është thënë se është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore