Kosova

Krasniqi fton diasporën që ta votojë ALDE-në në zgjedhjet për Parlamentin Evropian


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, u ka kërkuar të gjithë bashkatdhetarëve me të drejtë vote që jetojnë në vende të Bashkimit Evropian që në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të votojnë për kandidatët e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE).

Këtë, Krasniqi e ka bërë përmes një postimi në Facebook, një ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen nga 6 deri më 9 qershor.

“E kemi thënë disa herë se këto janë zgjedhje tepër të rëndësishme që do ta përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e Bashkimit Evropian, por edhe integrimin euro-atlantik të Kosovës”, shkroi Krasniqi.

“PDK është anëtare e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës – ALDE dhe duke e ditur që partitë anëtare të familjes sonë politike gjithmonë kanë qenë në përkrahje të plotë të lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës, unë ju ftoj që në këto zgjedhje t’i mbështesni partitë tona simotra masivisht me votën tuaj”, shtoi.

Kreu i PDK-së i ftoi bashkatdhetarët që të dalin dhe të votojnë.

“Votoni për një Evropë të sigurt që i ofron Kosovës një perspektivë të qartë për integrim”, potencoi ai, derisa i falënderoi për “mbështetjen e vazhdueshme”.

Nga ana tjetër, gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga mërgata kosovare me të drejtë vote në Union që të votojnë për “forcat e përparimit dhe për ato forca politike të cilat nuk janë ekstreme”.

“Për forcat që janë të qarta në pozicionimin e tyre ndaj vendeve armiqësore me Bashkimin Evropian, por edhe të qarta ndaj zgjerimit të BE-së”, ka thënë Kurti përmes një video-mesazhi të publikuar në platformën e tij sociale në Facebook.

Ndërsa si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, ka kërkuar tërthorazi që diaspora kosovare të votojë për Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.

“Ne e mbështesim programin e tyre për një Evropë sociale, demokratike dhe të qëndrueshme”.

Kurti i ka cilësuar zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian të 9 qershorit si më të rëndësishmet në vitet e fundit marrë parasysh se ato “ndodhin në rrethana ku një luftë e drejtpërdrejtë po ngjanë mu në Evropë, pra në Ukrainë pas agresionit ushtarak rus”.

I pari i qeverisë ka kërkuar që të mos votohen forcat politike që janë ekstreme për arsye se ato janë të ndikuara nga Rusia.

“Së dyti i keni parasysh ndasitë që ekzistojnë brenda BE-së si dhe përbrenda vendeve anëtare, përmes këtyre ndasive Rusia duke u mbështetur në disa rryma politike ekstremiste ose liderë në pushtet të këtyre vendeve ka ushtruar me vite një ndikim dëmtues”.

“Qëllimi i Rusisë dhe aleatëve të saj evropian jashtë dhe brenda BE-së është i qartë: dobësimi i BE-së, dobësimi i projektit të zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s, ndërsa ndaj neve veçanërisht në Kosovës synohet pengesa e çdo perspektive integruese”.

Prandaj, sipas tij, vota e diasporës në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian të 9 qershorit, “duhet të jetë përgjigja jonë, kontributi ynë kundër rreziqeve që e kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e BE-së”.

https://albanianpost.com/kurti-diaspores-mos-votoni-forca-ekstreme/

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore