Kosova

Dy skandinavë, kandidatë potencialë për pozitën e emisarit të BE-së për dialogun?


Josep Borrel dhe Mirosllav Lajçak

Në mesin e kandidatëve potencialë për pozitën e Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përveç ish-presidentit dhe kryeministrit slloven, Borut Pahor, janë edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, raportoi “Radio Evropa e Lirë” të mërkurën, duke cituar burime diplomatike.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë verës, ndërsa blloku përgatitet për raundin e ri të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për 720 ulëset e Parlamentit Evropian (PE) fundjavën e ardhshme pritet të përcaktojë edhe dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Një prej protagonistëve kryesorë që aktualisht mban barrën më të rëndë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator 2024, në kuadër të rotacionit vjeshtor në postet diplomatike. Megjithatë, në bazë të burimeve diplomatike, diplomatit sllovak do t’i zgjatet mandati për disa muaj.

“Ne jemi në një fazë ku po qarkullojnë emra të kandidatëve potencialë për pasardhës të Lajçakut në rolin e ndërmjetësuesit në dialog. Por, do të presim që, së pari, të emërohet përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar”, deklaroi një diplomat i BE-së, duke qenë se gjithçka do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve evropiane.

Sidoqoftë, përkundër spekulimeve në korridoret diplomatike se kush do të jetë pasardhësi i Lajçakut, akoma nuk ekziston ndonjë emër zyrtar për rolin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun. Megjithatë, dy diplomatët e përmendur për këtë pozitë – Haavisto dhe Sorensen – ndonëse vijnë nga vendet skandinave, kanë edhe përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore