Kosova

Kurti garanton për “duart e pastra” të ministrave të kabinetit, injoron raportet për “korrupsion serioz qeveritar” në vend


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkundër se para një muaji dy raporte ndërkombëtare ekspozuan “korrupsionin serioz qeveritar” në vend, gjatë qëndrimit në Turqi, ku takoi mërgatën kosovare, pretendoi se ministrat e kabinetit kanë “duar të pastra” dhe “kursejnë buxhetin”, madje shtoi se “ne jemi një qeveri që e do popullin e pasur, jo politikanët e pasur”.

“E luftojmë korrupsionin në çdo fushë, në çdo nivel. Qeveria jonë është qeveri e ministrave që kanë ndërgjegje dhe duar të pastra, që e kursejnë buxhetin e shtetit dhe nuk e kursejnë vetveten, punojnë ditë e natë, pa rezervë, sepse duhet ta forcojmë shtetin tonë dhe ta pasurojmë popullin tonë. Ne jemi një qeveri që e do popullin e pasur, jo politikanët e pasur”.

Megjithatë, në raportin e fundit për Kosovën të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), një pjesë e madhe i referohet “korrupsionit serioz qeveritar” që vazhdon ta gërryej legjitimitetin institucional në vend. Gjithashtu, raporti i organizatës prestigjoze “Freedom House” potencoi se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet “çështje serioze” dhe “shumë shqetësuese”.

Përderisa raporti i DASH-it ’23 përmendi korrupsionin qeveritar, organizata “Freedom House” vlerësoi se Kosova vazhdon të jetë pjesërisht e lirë dhe s’ka shënuar kurrfarë progresi, posaçërisht në çrrënjosjen e korrupsionit që qeveria aktuale e premtoi. Së paku dy apo tre ministra dhe zëvendësministra ose janë nën hetime, ose në procedura gjyqësore për korrupsion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore