Kosova

Zgjedhjet lokale në Preshevë dhe Bujanoc – vendvotimet hapen me kohë


Në Preshevë dhe Bujanoc të Serbisë, komuna këto të banuara me shumicë shqiptare, po mbahen zgjedhjet lokale, derisa mediat atje raportojnë se gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk është raportuar për asnjë incident deri më tani.

Presheva ka rreth 43 mijë votues të cilët do të votojnë në 37 qendra të votimit për 39 mandate, ndërkaq në Bujanoc kanë të drejtë vote mbi 43 mijë votues të cilët do të votojnë në 59 vendvotime për 41 mandate.

Në zgjedhjet lokale, për kryetare të komunës së Preshevës po garon Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, dhe për atë të Bujanocit, Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Kurti i ka dhënë mbështetje këtyre kandidatëve, madje javën e kaluar mori pjesë në tubimin elektoral që këtë dy kandidatë e mbajtën në Prishtinë.

Në anën tjetër, një ditë më parë, Shqiprim Arifi, ish-kryetar i Komunës së Preshevës, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe Sinanit.

Sipas Arifit, Kamberi dhe Sinani kanë bërë “marrëveshje paszgjedhore sekrete” me Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandër Vuçiç-it dhe me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS) e Ivica Daçiç-it, të cilët, duke qenë se serbët janë pakicë në Preshevë dhe Bujanoc, kanë bërë koalicion, të cilin e kanë emërtuar “Lista Serbe”.

“Sipas gjitha informacioneve në Luginë të Preshevës, Shaip Kamberi dhe Ardita Sinani kanë bërë marrëveshje për komunat shqiptare Preshevë dhe Bujanoc, marrëveshje paszgjedhore me Listën Serbe”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Kjo, siç pretendon ai, “ka qëllim dëmtimin e partive shqiptare, konkretisht Alternativën për Ndryshim partinë më të madhe në Luginë, ta ndali nga fitorja e nesërme”.

Ndryshe, shqiptarët në Serbi janë pakicat e katërt kombëtare, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2022.

Në këtë shtet jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë.

Partitë politikë dhe banorët shqiptarë shpesh janë ankuar se autoritetet serbe po e ulin numrin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përmes pasivizimit të adresave të tyre.

Kurti vazhdon me qasjen përçarëse edhe te shqiptarët në Luginë – i bënë pjesë të fushatës edhe paratë e kosovarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore