Kosova

Shpejtim Bulliqi ia “bleu” dy asamblistë LDK-së në Podujevë, i rehatoi nëpër institucione


Shpejtim Bulliqi

Dy asamblistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adnan Zymeri dhe Demokrat Hodolli, që në zgjedhjet e fundit fituan ulëse në Komunën e Podujevës nën logon e kësaj partie, vendosën befasisht të dalin si të pavarur e të largohen nga grupi i partisë, derisa më vonë u kuptua se atyre u janë gjetur vende pune nga kryetari i Komunës, Shpëjtim Bulliqi, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo lëvizje e Bulliqit e la LDK-në me 12 asamblistë, nga 14 sa kishte, dhe përbënte grupin më të madh edhe para Vetëvendosjes që kishte një më pak, 13.

Siç është njoftuar Albanian Post Zymeri dhe Hodolli, të cilët dolën si të pavarur, janë punësuar në administratën shtetërore.

Sipas Ekrem Rrahmanit, asamblist i LDK-së, njëri është punësuar në administratën e Kosstit, kurse tjetri është punësuar në agjencionin e bujqësisë.

Rrahmani është i bindur se “të dy kanë bërë pazare për vende pune me Bulliqin dhe po përpiqen të mbajnë dy funksione”.

Por, nëse vërtetohet se këta të dy kanë punë të tjera brenda shtetit, përveç të qenurit asamblist, atëherë kjo do të përbënte shkelje ligjore, meqë “është në kundërshtim me ligjet që rregullojnë marrëdhënien e punës në Republikën e Kosovës”.

“Ne si LDK do t’i drejtohemi kryesuesit të kuvendit komunal me shkresë për Konflikt interesi dhe do të kërkojmë zëvendësimin e tyre pasi që ka konflikt interesi mbajtja e dy funksioneve”, tha Rrahmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore