“Kosova prioritizoi veprimet e njëanshme; S’u koordinua; Rrezik për përshkallëzim të tensioneve”, ndërkombëtarët kritikojnë Qeverinë për aksionin në Veri
Të ashpra kanë qenë reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, OSBE-së, Britanisë së Madhe dhe KFOR-it ndaj autoriteteve të Kosovës pas aksionin të Policisë e cila të hënën ka mbyllur gjashtë filiale të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe.
Ambasadori i SHBA-së në një takim me gazetarët, ka shprehur zhgënjimin e tij duke potencuar se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtare dhe sipas tij, “i përshkallëzon tensionet në veri të vendit”.
Ai kërkoi nga Qeveria angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ndërkaq Bashkimi Evropian deklaroi nëpërmjet një komunikate për shtyp se është i shqetësuar për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë filialeve të “Bankës Kursimore të Postës” të Serbisë në Veri duke theksuar se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, deklaroi në një komunikatë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së BE-së, minon perceptimin evropian për “vullnetin e mirë” të Kosovës në dialog.
“Mbyllja e këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, apo pa koordinim, vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, i cili po ashtu merrej me çështjen e këtyre objekteve të Bankës Kursimore të Postës, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit dhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës në arritjen e normalizimit të raporteve”.
Në një linjë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian ka qenë edhe Britania e Madhe e cila përmes ambasadës së saj në Prishtinë ka njoftuar se janë të “shqetësuar” për mbylljen gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë.
“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”, theksoi ambasada britanike.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, kanë thënë se i kanë përcjellur me “shqetësim” veprimet e autoriteteve kosovare në Veri të vendit – derisa kanë bërë thirrje për shmangie të veprimeve që mund të shkaktojnë destabilitet.
“Është thelbësore që të dyja palët të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me BE-në në një përpjekje të dyfishuar për t’i zgjidhur këto çështje brenda Dialogut, për të shmangur veprimet destabilizuese dhe për t’i bërë prioritetet kryesore interesat dhe mirëqenien e banorëve të zakonshëm nga të gjitha komunitetet”, thuhet në reagim.
Edhe forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) deklaroi në një komunikatë për shtyp se është njoftuar “pak para” aksionit të organeve të rendit në Veri thuhet se KFOR-i pret “konsultime me kohë” për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që mund të ndikojë në sigurinë e gjerë rajonale.
“KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve kundër degëve të Bankës Kursimore të Postës të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk u përfshi në ekzekutimin e këtij operacioni”, njoftoi misioni të martën.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Luhrmann: Në përpjekjet e Sarrazinit për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme, duhet të angazhohet edhe Qeveria e Kosovës
-
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nesër në zyrën e Lajçakut mes paqartësive nëse do të ketë takim trepalësh në Bruksel
-
MPB-ja s’e komenton kërkesën e Vuçiçit për kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës
-
Procesi i Berlinit dhe masat e BE-së kundër Kosovës, në fokus të takimit Osmani-Lührmann
Lajmet kryesore
-
Afati përfundimtar për hapjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri është tetori, thotë ministri i Brendshëm italian
-
Zyrtarja e lartë amerikane takon Dumanin dhe i garanton mbështetje pa kushte për reformën në drejtësi
-
Konflikti dhe konkurrenca në Evropë
-
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nesër në zyrën e Lajçakut mes paqartësive nëse do të ketë takim trepalësh në Bruksel