Kosova

Vuçeviç takon ambasadorin rus, diskutojnë për çështjen e dinarit


Aleksandar Bocan Kharchenko dhe Millosh Vuçeviç

Kryeministri i sapoemëruar i Serbisë, Milosh Vuçeviç, të mërkurën ka takuar ambasadorin e Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan Kharchenko, ku me ç’rast është diskutuar edhe rregullorja e Bankës Qendrore e Kosovës për ndalimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Vuçeviç, siç raportojnë mediat serbe, i ka thënë Kharchenko-s se rregullorja e BQK-së e “ndërlikon shumë jetën e serbëve në Kosovë dhe i largon ata nga dialogu i Brukselit”.

Duke folur për seancën e radhës së Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara, ku do të shqyrtohet draft-rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, Vuçeviç ka theksuar se kjo është “një çështje e ndjeshme që nuk kontribuon në thellimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon”.

Ambasadori rus në anën tjetër, siç raportojnë mediat serbe, ka theksuar se Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e vendosur të Rusisë në “ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, si dhe në mbështetjen e qartë në nivel ndërkombëtar për çështje me interes jetik”.

Ndryshe të mërkurën në Bruksel ka nisur takimi i shtatë i radhës në mes të Besnik Bislimit e Petar Petkoviç-it nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak me synim për të gjetur një zgjidhje për rregulloren e BQK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore