Shqipëria

Rama mbërrin në Athinë, shqiptarët grumbullohen masivisht në pritje të tij


Stadiumi ‘Galatsi’ në Athinë është mbushur me shqiptarë, të cilët presin mbërritjen e kryeministrit Edi Rama, i cili do të mbajë një fjalim në nisje te turit të tij me diasporën.

Me flamuj kuqezi në duar, ata presin kreun e qeverisë.

Gjithashtu dhe jashtë stadiumit janë po aq shqiptarë në pritje, raporton Albanian Post.

Ndërkohë, Rama dhe delegacioni që e shoqëron kanë mbërritur në aeroportin ”Eleftheros Venizelos” në Athinë.

Vizita e Ramës zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa në stadium do të ketë edhe performancë nga këngëtarë të ndryshëm.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka bërë që sytë e kryeqytetit grek, Athinës, të kthehen të gjitha për nga faktori shqiptar në shtetin fqinj, pasi një takim i madh me bashkatdhetarët, të cilët e zhvillojnë jetën e tyre në Greqi, do të mbahet këtë të dielë të 12 majit.

Megjithatë, nuk janë vetë sytë, të kthyer për nga Rama, por edhe vëmendja e autoriteteve, duke qenë se takimi zhvillohet në një çast tensionesh në distancë mes dy vendeve, kryesisht rreth çështjes së arrestimit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili është dënuar nga shkalla e parë për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Gjithashtu, edhe vetë vizita ka një simbolikë të vetën, pasi vjen ekzaktësisht një vit pas arrestimit të Belerit.

Siç është mësuar, kryeministri Rama do të jetë i shoqëruar nga 150 persona, që do të jenë anëtarë të kabinetit, deputetë dhe 50 gazetarë.

Të angazhuara për rendin, do të jenë edhe qindra – në mos mijëra – forca policore greke, në bashkëpunim me forcat RENEA nga Shqipëria.

Numri një i Qeverisë shqiptare, e ka cilësuar takimin e tij me bashkatdhetarët në Greqi si një moment krenarie për të gjithë shqiptarët atje.

Rama shkruan se më në fund ftesa e tij ka edhe adresën.

“Mirëmëngjesi dhe me ftesën që më në fund ka edhe adresën, duke i ftuar ata ndër ju që janë në Athinë ose rrethina, e që munden ta kalojnë me ne që vijmë nga Shqipëria këtë moment të veçantë krenarie për të gjithë shqiptarët e Greqisë, ju uroj një ditë të mbarë”.

Më herët Rama, është i habitur me qëndrimin e opozitës greke për vizitën që ai pritet të zhvillojë, teksa e ka përmendur komentin e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, si të duhur, pasi pikas se liderët e huaj kanë të drejtë të zhvillojnë takime me bashkëatdhetarët në Greqinë demokratike.

Pavarësisht kësaj, Mitsotakis e ka përmendur si “të panevojshme” vizitën e Ramës më 12 maj.

Por, e ka ndarë qartazi si një vizitë në kuadër të takimit me shqiptarët në Greqi dhe jo të lidhur me faktorin e brendshëm politik grek, sa i takon temave si arrestimi i Fredi Belerit, apo kandidimi i këtij të fundit në zgjedhjet evropiane nën logon e Demokracisë së Re.

Përmes një publikimi në median sociale X, ish-Twitter, Rama shkruante:

Është mjaft befasuese të dëgjosh deklaratat e opozitës greke, ndërkohë që mund ta kuptoj plotësisht perspektivën e përcjellë nga kryeministri grek. Kontrasti i fortë në pikëpamjet për të njëjtën çështje hedh dritë mbi arsyen pse disa janë në opozitë, ndërsa të tjerëve u është besuar qeverisja nga populli.

Megjithatë, siç theksoi me të drejtë kryeministri Mitsotakis, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t’i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku ata jetojnë, por edhe në atdheun e tyre.

Vizita ime e ardhshme në Athinë të dielën, më 12, nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në agjendën e qeverisë shqiptare.

Kjo vizitë është pjesë e një serie vizitash të planifikuara prej kohësh në disa vende evropiane, përfshirë Athinën, për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë dhe për të ndarë krenarinë e Shqipërisë për ta dhe Vizionin Shqipëria 2030. Kjo ka të bëjë me vizitën time në fqinjin mik Greqinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore