Lajme

Zgjedhjet: Deri në ora 17:00 votuan 46.93% për parlamentare, 42.33% për presidenciale – arrihet censusi


Ilustrim

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni të Veriut, ka njoftuar se deri në ora 17:00, në zgjedhjet parlamentare kanë votuar 46.93 për qind e qytetarëve, ndërsa në ato presidenciale 42.33 për qind – çka e mbërrin censusin për t’u shpallur i vlefshëm procesi.

“Deri në orën 17:00 të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve për zgjedhjet presidenciale të përpunuara nga gjithsejtë 2040 vendvotime, nga numri i përgjithshëm i regjistruar në këto vendvotime është 1 milion e 69 mijë e 21 votues. Kanë votuar 452 mijë e 412 votues, respektivisht 42.33 për qind e votuesve. Dalja më e madhe është në Novaci me 66.47 për qind, ndërsa dalja më e ulët është në Likovë me 6.48 për qind”, kanë thënë nga KSHZ-ja në një konferencë për media.

“Deri në orën 17:00 të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet parlamentare prej 1920 vendvotimeve, nga numri i përgjithshëm i regjistruar, gjithsejtë 1 milion e 3 mijë e 459 votues, në këto vendvotime kanë votuar 470 mijë e 950 votues, apo në 46.93 për qind”.

Ndryshe, KSHZ-ja më herët ka njoftuar se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare deri në ora 15:00 ka qenë 36,84 për qind, ndërsa në ato presidenciale 32,16 për qind.

Në Maqedoni të Veriut, të drejtën e votës e kanë mbi 1 milion e 800 mijë votues.

Në garën presidenciale janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Gordana Silanovska-Davkova, dhe kryetari aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet. E vota e shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të jetë vendimtare për presidentin e ri të vendit.

Ndërsa, në zgjedhjet parlamentare në taborin shqiptar gara zhvillohet në mes të “Frontit Europian”, dhe koalicionit “VLEN”, derisa në kampin maqedonas sipas sondazheve pritet një fitore e thellë e partisë nacionaliste VMRO-DPMNE, kundrejt LSDM-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore