Kosova

KMShK-ja i konsideron si të “dëmshme dhe të papranueshme” përpjekjet e Qeverisë për kontroll mbi mediat


Ilustrim: Qeveria e Kosovës

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), është shprehur i shqetësuar për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë, duke theksuar regresin që ka shënuar Kosova në Indeksin vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit nga organizata “Reporterët pa Kufij”.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, KMShK-ja ka bërë thirrje që mediat e gazetarët të mos pengohen gjatë punës së tyre.

“Sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe fushatat linçuese ndaj tyre janë kërcënim serioz për një gazetari të pavarur dhe profesionale, si dhe për integritetin dhe jetën e gazetarëve”, kanë theksuar nga KMShK-ja.

Ndërsa, tentativat për kontroll mbi mediat i kanë konsideruar të papranueshme.

“KMShK i vlerëson të dëmshme dhe të papranueshme përpjekjet e autoriteteve për kontroll mbi mediat dhe cenimin e fjalës së lirë”, kanë shkruar ata në Facebook.

Sipas tyre, liria e medias është pjesë thelbësore e një shoqërie demokratike.

Në këtë raport të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, Kosova është radhitur e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar kur ishte listuar e 56-ta.

Ky është vlerësimi më negativ që i është bërë Kosovës në dekadën e fundit.

Në vitin 2014 Kosova ishte vlerësuar me notën 70.71 nga kjo organizatë, ndërsa gjatë viti 2024 Kosova ka grumbulluar vetëm 60.19 pikë.

“Në vitin 2023, Kosova ishte vlerësuar me notën 68.38. Në vitin 2023 me notën 68.38. Në vitin 2022 me notën 67. Në vitin 2021 me notën 69.68. Në vitin 2020 me notën 70.67. Në vitin 2019 me notën 70.32. Në vitin 2018 me notën 70.39. Në vitin 2017 me notën 69.55. Në vitin 2016 me notën 69.5. Në vitin 2015 me notën 69.37”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore