Kosova

Vrasja në Pejë, Osmani: Femicidi po merr përmasa të jashtëzakonshme, të ndalet me çdo kusht


Pas vrasjes së një gruaje në Pejë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se femicidi po merr përmasa të jashtëzakonshme.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht”, tha Osmani.

Ajo ka theksuar se mënyra e vetme për ta ndaluar femicidin është në qoftë se “rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb”.

“Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, shtoi ajo.

Ndryshe, një grua është vrarë të martën në Pejë, derisa dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj i cili është prangosur nga policia.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante”, theksoi Nikçi.

Vrasja në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë kur gratë dyshohet se u vranë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre. Më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore