Kosova

Arsenijeviç: Anëtarët e Listës Sërpska u fshehën në birën e miut teksa Kurti vizitoi veriun e Kosovës


Aleksandar Arsenijeviç

Kryetari i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviç, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, deklaroi se në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Leposaviqin dhe Zubin Potokun – dy komuna të banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, përfaqësuesit e Listës Sërpska u strukën në “vrimën e miut” gjatë ditës.

“Lista Sërpska ka nëntë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës dhe në bazë të përllogaritjeve ka marrë 360 mijë euro. Ata deputetë duhet të kishin dalë sot në terren dhe ta pyesnin Kurtin se çfarë dreqin po bën në veri dhe jo të fshiheshin në birën e miut si zakonisht”, shkroi kreu i këtij subjekti të vogël opozitar që operon në pjesën veriore të territorit të Kosovës.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi e kategorizoi “provokim” vizitën e Kurtit në këtë zonë të banuar kryesisht me serbë, ndërsa akuzoi KFOR-in dhe EULEX-in që e lejuan. Madje, korrieri kryesor i propagandës serbe e cilësoi “okupator” kryeministrin e Kosovës që shfrytëzoi një të drejtë kushtetuese, duke vizituar dy komuna brenda territorit kosovar.

Ndryshe, kjo është vizita e parë e shefit të Qeverisë së Kosovës prejse nisën tensionet në veri vitin e kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj eskaloi në protestë të dhunshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore