Kosova

Maqedonci: Bazat ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, shqetësim edhe për ndërkombëtarët


Foto: Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se bazat ushtarake të Serbisë, të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën, duhet të jenë shqetësim edhe për të gjithë faktorin ndërkombëtar.

Këto komente, Maqedonci i ka bërë gjatë takimit që ka pasur me anëtarët e Komitetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bundestagut gjerman, të cilët theksoi se i ka njoftuar për situatën e sigurisë në vend.

“Në këtë takim produktiv e njoftova kryetaren e Komitetit, Marie Agnes Strack Zimmermann dhe anëtarët e këtij komiteti mbi situatën e sigurisë në vend, kërcënimin që paraqesin bazat ushtarake të Serbisë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën për stabilitetin e vendit dhe rajonit, gjë që duhet të ishte shqetësim për gjithë faktorin ndërkombëtar, ndërsa i informova dhe për kapacitetet aktuale që FSK ka për të garantuar mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës dhe jetës së qytetarëve tanë”, shkroi ai në Facebook.

Maqedonci shtoi se ka ritheksuar se synimi i shtetit që ai përfaqëson është anëtarësimi në NATO, “sipas standardeve të së cilës aleancë po vazhdojmë implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të ushtrisë tonë”.

“Shpreha mirënjohjen time anëtarëve të komitetit për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman ndaj Kosovës, praninë e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it, si dhe angazhimin e këtij komiteti në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dy shtete që ndajmë interesa të përbashkëta”, pohoi.

Sipas ministrit, ky partneritet do të jetë “i gjatë dhe i pashkëputshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore