Kosova

Gërvalla: Qëndrojmë me Ukrainën deri në fitore


Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka mbështetur Ukrainën në dy vjetorin e agresionit rus.

Gërvalla, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se shteti që ajo përfaqëson qëndron në mbështetje të Kievit zyrtar.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për luftën e Ukrainës për liri dhe të ardhmen e saj kundër agresionit rus. Qëndrojmë me Ukrainë deri në fitore! Lavdi Ukrainës!”, shkroi ajo.

Në dy vjetorin e agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, mbështetje, në emër të Kosovës, Kievit zyrtar i kanë dhënë edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

“Kanë kaluar 2 vjet që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, i cili ka rezultuar në mbi 6 milionë refugjatë ukrainas jashtë vendit, mijëra vdekje civile dhe shkatërrim të shtëpive, jetëve dhe mjeteve të jetesës”, shkroi Kurti në X.

Sipas Kurtit kërcënimi i një shteti autoritar, siç është Rusia, për sigurinë evropiane nuk mund të ishte më i keq se kaq.

“Përballë agresionit brutal, populli ukrainas i ka rezistuar me sukses përpjekjes së Rusisë për të kapur dhe pushtuar Kievin”.

Ushtarët ukrainas, sipas Kurtit, po vazhdojnë luftën e guximshëm dhe të vendosur si kurrë më parë.

“I përshëndesim dhe premtojmë mbështetjen tonë të palëkundur, derisa fitorja të jetë e tyre”.

Ndërsa, sipas Osmanit, Kosova e di shumë mirë “se si është të paguash çmimin më të lartë për lirinë”.

“Ne e dimë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të pafajshëm; të dhunës seksuale gjatë luftës; e varreve masive me eshtrat e njerëzve tanë të dashur. Por, liria fitoi. Dhe do të mbizotërojë përsëri!”, ka shkruar ajo po në X.

Kanë kaluar dy vite që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Konflikti që në fillimet e tij nuk shkoi sipas planit që Putin kishte në mendje. Përkundrazi Kremlini pësoi humbje të mëdha pa qenë në gjendje të mposhte ukrainasit.

Ideja fillestare e Moskës ishte të kryente një ndërhyrje ushtarake të shkurtër duke i dhënë një goditje ushtrisë së Kievit, gjë që do të demoralizonte vullnetin e saj për të rezistuar.

Ishte pothuajse e sigurt që amerikanët shumë shpejt do të fillonin dërgesat e armëve, por Putin nuk e kishte menduar që Perëndimi do të ishte bashkuar i gjithi kompakt në mbështetje të plotë të Ukrainës dhe se kjo mund të kishte shkaktuar një konflikt të zgjatur.

Ndërsa Rusia ishte përballë një lufte agresioni, Ukraina ishte në mbrojtje të vendit ndaj dhe morali i saj në vitin e parë qe tejet i lartë. Misioni ishte mbrojtja e territorit dhe shtyrja e rusëve përtej kufijve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore