Kosova

Serbët në Veri tërheqin dinarë, u lejohet deri në 10 mijë – ankohen që s’po munden më shumë


Serbët në Veri tërheqin dinarë

Serbët në pjesën veriore të Kosovës të cilët pranojnë ndihma sociale nga Serbia, të martën, kanë tërhequr mjete financiare me vlerë deri në 10 mijë dinarë, edhe pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Një numër i madh i serbëve të martën janë grumbulluar para postës paralele serbe që funksionon në Kosovë për t’i tërhequr këto ndihma ndërsa janë ankuar që s’po mund të tërheqin shumën e cila ju takon.

“Pagesa është e kufizuar në 10 mijë dinarë. Ndihem shumë i kërcënuar, kam 26 vite këtu dhe nuk kam në plan të largohem. Vendimet e autoriteteve janë absurde, dhe plani i tyre është që të dëbojnë serbët në heshtje”, u ka thënë një qytetar serb nga Kosova mediumit serb në Kosovë, Kosovo Online.

Përveç në Mitrovicë të Veriut radhë të gjata janë parë edhe para postës paralele të Serbisë në Komunën e Leposaviqit.

“Njerëzit janë në gjendje të vështirë. Sot kufiri është vetëm 10 mijë dinarë, që do të jetë shumë pak për qytetarët. Ata nuk mund të planifikojnë jetën e tyre, të paguajnë faturat, veçanërisht është e vështirë për qytetarët e moshuar”, ka thënë një serb i Leposaviqit për Kosovo Online.

Përfituesit e ndihmës sociale, të cilët janë grumbulluar para postës paralele serbe në Graçanicë, janë shprehur të pakënaqur me gjendjen aktuale.

Sipas tyre për shkak të rregullores së BQK-së ata po detyrohen të udhëtojnë në Kurshumli apo Rashkë për të tërhequr para për ndihmë sociale dhe të ardhura të tjera.

Ndryshe disa avokatë serbë nga Kosova, të martën, kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, rregullore kjo e cila ka ndaluar përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Kërkesa e avokatëve serbë, siç raporton mediumi serb me seli në Kosovë, Kossev, është që rregullorja të pezullohet deri në momentin kur Kushtetuesja të konfirmojë ose të hedhë poshtë kushtetutshmërinë e kësaj rregulloreje.

Avokatët serbë ndër të tjera, siç raporton Kossev, kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë edhe efektin e dëmit që ka shkaktuar rregullorja te situata socio-ekonomike e qytetarëve, gjegjësisht për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve (Asociacionin).

Vendimi i BQK-së që në Kosovë të përdoret vetëm një valutë, euro, aktualisht ka ngecur në mes thirrjes së komunitetit ndërkombëtar që i njëjti të shtyhet deri në një afat më optimal, pasi shteti serb tha se vendimi i Kosovës afekton serbët e Kosovës, meqë ata i pranojnë të gjitha ndihmat nga Serbia në dinarë dhe në anën tjetër arsyetimin e autoriteteve kosovare se vendimi një fjalë është vetëm zbatim i një dispozite të Kushtetutës së Kosovës dhe asgjë tjetër.

Një grup avokatësh ka dërguar në Kushtetuese rregulloren e dinarit të BQK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore