Kosova

Taravari për AP: Kurti ishte i përfshirë në ditët kur mora vendimin për t’u bashkuar me opozitën – i lumtur që e kemi në krah


Foto: Albanian Post

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, duke folur për vendimin që mori për t’u bashkuar me opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë njëri nga ata që është përfshi në ditët e vendimit, paçka se thekson se kreu i ekzekutivit kosovar nuk është shkaku i këtij vendimit.

Këto komente, Taravari i bëri në një intervistë për Albanian Post, ku tregoi se është i lumtur që opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut ka mbështetjen e Kurtit.

“Kurti është një nga kryeministrat që u përfshi në ditët e vendimit, njësoj si kryeministri [Edi] Rama dhe kjo është e kuptueshme se janë të dy shqiptarë. Nuk është hera e parë që këto dy shtete marrin pjesë me të zgjedhurit e tyre në vendimet e politikës në Maqedoni, në kampin shqiptar”, tha Taravri për AP.

“Kryeministri Kurti është përkrahës i rrugës tonë drejt Ndryshimit të sistemit, ai nuk është shkaku i vendimit tim por jam i lumtur që është në krahun tonë”, shtoi.

Në fakt, përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen së shpejti (8 prill, 9 maj), në Maqedoni të Veriut është më se evidente.

Pak ditë pasi që Izet Mexhiti (ish-nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, tani kryetar i Lëvizjes Demokratike), Bilall Kasami (kryetar i Lëvizjes Besa), Afrim Gashi (kryetar i Alternativës), dhe Arben Taravari (kryetar i Aleancës për Shqiptarët), të njoftonin se do të garonin në një koalicion të përbashkët (Lëvizja Evropiane për Ndryshim) në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ishin takuar me kryeministrin Kurti.

Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, thuhej se Taravari, Gashi, Kasami dhe Mexhiti kishin shprehur propozimin e tyre që të dalin me një kandidat për president.

Ashtu edhe ndodhi. Të enjten e 15 shkurtit, Arben Taravari, nga qyteti i Gostivarit – kryetar i të cilit është – së bashku me partnerët politikë shpalli kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut.

Mirëpo, përveç takimeve, partia e Kurtit [Lëvizja Vetëvendosje] do të marrë pjesë drejtpërdrejtë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Bekim Qoku – anëtar i LVV-së, njëherit këshilltar i Kurtit – do të jetë kandidat për deputet nga radhët e LEN-it.

Ekskluzive me Arben Taravarin: Partia s’është pronë e Zijadin Selës, unë dëgjova zërin e popullit – Artan Grubi është përçarësi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore