Kosova

Rusia: Situata e serbëve në Kosovë, sikurse situata e palestinezëve në Gazë


Dmitriy Polyanskiy

Zëvendës Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Dmitriy Polyanskiy, pretendoi se situata e komunitetit serb në Kosovë që përbën shumicën e popullësisë në pjesën veriore të vendit, ngjason shumë me situatën e palestinezëve në Izrael, posaçërisht pas vendimit të Kosovës për dinarin.

“Fatkeqësisht, duke marrë parasysh pikën e nxehtë në Gaza, ku Izraeli bën çdo gjë për të përjashtuar palestinezët, ne po shohim një rrezik tjetër në rajon, ku kemi një situatë të ngjashme në terren i cili u krijua nga autoritetet e Kosovës kundër serbëve etnikë. Problemet arritën këtë shkallë, ku mbijetesa e serbëve kërcënohet drejtpërdrejtë”, tha ai.

Polyanskiy akuzoi Kosovën se veprimet e fundit shkojnë në drejtim të “spastrimit etnik” të serbëve në Kosovë, duke shtuar se një situatë e tillë injorohet nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe posaçërisht nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ai shtoi se ndalimi i dinarit është “një hap kriminal” që ua bën jetën të vështirë serbëve.

Diplomati i Rusisë pretendoi se vetëm gjatë vitit 2023, institucionet e Kosovës kryen rreth 178 sulme etnike ndaj serbëve në Kosovë, duke ndihmuar “cirkun” e nisur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjithashtu pretendoi se vendimet e Kosovës nuk janë vetëm “vazhdimësi e sulmeve sistematike” ndaj serbëve, por edhe “krim kundër njerëzimit”.

Ambasadori i Serbisë në OKB dorëzoi të hënën një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për “krizën e dinarit” dhe “situatën e përgjithshme” në Kosovë që, sipas pretendimeve të Serbisë, është në “kontrast të madh” me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit së cilës i referohet Serbia në diskutimet për Kosovën.

Kjo seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë është thirrur pas kërkesës së Serbisë, veçanërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin dhe qarkullimin e dinarin serb dhe mbylljes së disa komunave paralele serbe nëpërmjet disa aksioneve policore në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore