Kosova

Policia nis hetimet për postierët me Radojiçiç-in në Veri


Afishet kundër Radojiçiç-it.

Policia e Kosovës, ka nisur hetimet për postierët që janë vendosur në Veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut në natën e 3 dhe 4 shkurtit në të cilat shihet fotografia e Milan Radojiçiç-it me mesazhin “ Kthehu në Kosovë, vëlla – serbët nuk mund të vuajnë më”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Po, tashmë kemi nisur hetimet për postierët që janë vendosur në Leposaviq dhe Zubin Potok”, ka thënë Elshani.

Rrugët e Komunës së Leposaviqit këtë të shtunë janë mbushur me afishe ku të postuar është fytyra e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç.

Përveç fytyrës së krye-terroristit Radojiçiç i cili pranoi se ishte organizatori i sulmit terrorist të 24 shtatorit kundër rendit kushtetues të Kosovës, afishet përmbajnë edhe mbishkrime kundër tij, ku ndër të tjera ai është cilësuar si terrorist e pronar i një laboratori të drogës.

“Kush është Radodijçiç? Patriot i rrejshëm, i dyshuar për një numër të vrasjeve të serbëve në Kosovë, pronar i laboratorit të drogës, kriminel që e ka përdor rininë tonë për pasurimin personal, terrorist”, thuhet në mbishkrimin e afisheve.

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit, duke vrarë një polic.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Policia konfiskoi, po ashtu, sasi të madhe armatimi.

Radojiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në Veri të Kosovës.

Autoritetet serbe bënë të ditur se Radojiçiç është marrë në pyetje nga Prokuroria në Beograd për sulmin në Banjë dhe se është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi dhe ia konfiskoi dokumentet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi ta aneksonte Veriun e Kosovës.

Patriot i rrejshëm, terrorist – Leposaviqi mbushet me afishe kundër Radojiçiç-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore