Kosova

Prokuroria e Pejës nis hetimet për dyshimet rreth keqpërdorimeve me patentë-shoferë


Ilustrim.

Prokuroria e Pejës, ka nisur hetimet në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me patentë-shoferë.

Kjo pas deklaratës së zëvendësministrit të Infrastrukturës Hysen Durmishi, i cili tha në një konferencë për media se Prokurorisë së Pejës i është dërguar një dosje voluminoze në lidhje me qindra kandidatë që morën patentë-shoferin në procese të dyshimta.

“Nga ajo që kemi gjetur deri më tani, dyshimet tona kanë të bëjnë për një ndërmarrje të gjerë kriminale e cila mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë”, deklaroi Durmishi, të premten në konferencë për media.

Zëvendësministri, sqaroi se një numër i qytetarëve ia kishin drejtuar ministrisë një numër të informacioneve të ndryshme në lidhje me keqpërdorimet në marrjen e patentë—shoferëve.

Gjë që kishte nxitur një monitorim brenda njësive që i lëshojnë këto leje për vozitje.

Ai theksoi se hetime kishin bërë edhe në qendra të tjera, por më të dyshimtat kishin qenë ato në njësinë e Pejës.

“Është shumë e dyshimtë atëherë kur një kandidat nga Kamenica shkon në Pejë për provim praktik”.

Sipas Durmishit, gjatë vitit 2023, “mbi 600 kandidatë, shumica prej tyre nga komuna të tjera, kishin kaluar provimin praktik të vozitjes”.

Ai pohoi se zyrtarët e Ministrisë kishin gjetur mospërputhje në dokumentacionet që dëshmojnë proceset që kandidatët i kanë kaluar për ta marrë patentë-shoferin.

Në rast që këto dyshime vërtetohen nga Gjykatat kompetente, u paralajmërua se ministria do të anulojë testet e dyshimta dhe do të konfiskojë patentë-shoferët.

Departamenti i patentë-shoferëve është institucion brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore