Kosova

Serbët mbajnë garën tradicionale në Liqenin e Ujmanit me thirrje provokuese e këngë nacionaliste


Foto: Kossev nga gara tek Liqeni i Ujmanit.

“S’ka dorëzim”, ishte njëra nga pankartat provokuese që u shfaq të premten ku qindra qytetarë serbë të Kosovës, kanë shënuar Epifaninë në liqenin e Ujmanit.

Gjatë kësaj feste ata kanë bërë edhe thirrje provokuese duke u dëgjuar edhe këngë nacionaliste, “Kosova është zemra e Serbisë”.

Siç ka raportuar mediumi serb “Kossev”, në garë kanë qenë rreth 200 persona.

Foto: Kossev nga gara tek Liqeni i Ujmanit.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se aktiviteti ka qenë i paralajmëruar.

“Për thirrjet që janë bërë do të kontaktohet organizatori dhe pas kësaj në konsultim me prokurorin, vendoset si do të veprohet tutje”, ka thënë Elshani.

Epifania, njihet si festë krishtere që përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit.

Gara tradicionale zgjat 33 metra not, që simbolizon numrin e viteve që jetoi Jezusi.

Më 30 dhjetor, ushtarët italianë të KFOR-it kishin zhvilluar një stërvitje specifike që ka zgjatur katër orë në Liqenin e Ujmanit në Veri.

Nga KFOR-i ishte thënë se kjo po bëhet për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore