Kosova

Maqedonci s’e përjashton luftën: 5 mijë ushtarët s’na mjaftojnë, duhet edhe angazhimi i qytetarëve


Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoni, ka potencuar se në rast të ndonjë lufte të mundshme në të ardhmen numri i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës prej 5 mijë ushtarëve aktivë dhe 3 mijë ushtarëve rezervë nuk është i mjaftueshëm.

Për t’i vënë ballë luftës kundër agresorit, sipas Maqedoncit, do të duhet edhe angazhim i qytetarëve gjë për të cilin Ministria e Mbrojtjes është duke punuar.

“Gjithmonë duhet të përgatitemi për luftë në rast se dëshirojmë të shmangim luftën”, ka thënë Maqedonci në një intervistë për Televizioni 7 kur u pyet se “as ai nuk po e përjashton luftën”.

Sipas Maqedoncit në këtë fazë mbetet e rëndësishme që çdo qytetarë të ketë rolin e tij në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Në këtë aspekt ne jemi duke punuar si Ministri e Mbrojtjes për ndërtimin e kulturës dhe vetëdijesimin e qytetarëve për t’i shërbyer vendit në situata të ndryshme”, shtoi ai.

Maqedonci potencoi ndër të tjera se Ministria e Mbrojtjes është në fazën e analizimit dhe të ndërtimit të konceptit për trajnimin dhe përgatitjen e qytetarëve “për të qenë të gatshëm për të mbështetur aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë”.

Duke folur për 48 bazat ushtarake të Serbisë të vendosura përgjatë vijës kufitare me Kosovën, Maqedonci, ka potencuar se 28 prej tyre janë baza tipike ushtarake e 20 të tjerë janë baza të xhandarmërisë, të cilët janë tejzgjatje të tri brigadave ushtarake që gjenden në Nishë, Rashkë dhe Vranjë.

“Fakti që këto janë shumë afër kufirit, pra janë të vendosura përreth Kosovës, gjatë vijës kufitare, dhe janë të drejtuara armiqësisht në drejtim të vendit tonë, këto baza janë kërcënim sepse ato nuk janë për të mbrojtur Serbinë, ato janë për ta mbajtur nën presion Republikën e Kosovës”,

I gjithë ky dislokim ushtarak e militarizim i Serbisë, sipas Maqedoncit, tregon për një qasje agresive në raport me Kosovën.

“Duke i shtuar kësaj edhe elemente tjera që janë përdorur të luftës hibride siç janë angazhimi i grupeve të uniformuara dhe të armatosura në Veri të vendit tonë, kontrabanda dhe aspekte tjera kriminale që janë zhvilluar dhe mbështetur nga struktura të sigurisë shtetërore të Serbisë, kjo e bën situatën me të vërtetë të rrezikshme. Asnjëherë kryeministri Kurti nuk e ka thënë këtë në panik, e ka thënë shumë i qetë, shumë i matur normalisht ka theksuar nevojën e vigjilencën që duhet të kemi”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore