Kosova

Largimi i vizave e njohja e targave – Vukoviç: Nga dy hapa para, mund të hidhen tre hapa prapa


Sinisha Vukoviç

Sinisha Vukoviç, ligjërues në Univesitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vëzhgues i njohur i politikës së Ballkanit Perëndimor, deklaroi se bashkësia e organizuar ndërkombëtare nuk duhet të vetëmjaftohet nga “fitoret e vogla” në kuadër dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Në këtë drejtim, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të hënën, ai përmendi përmbylljen e disa proceseve të rëndësishme në dritën e zhvillimeve politike në rajon, duke filluar nga lëvizja e lirë drejt vendeve të zonës Schengen pa viza dhe njohjen e targave kosovare nga autoritetet serbe, ndërsa sugjeroi që asnjëra palë nuk duhet të futet nën mbulesën e rehatisë.

“Fakti që targat e Kosovës janë pranuar në Serbi është një sukses i jashtëzakonshëm për Perëndimin… Pra, janë fitore të vogla që i mjaftojnë Perëndimit për të treguar se gjërat po ecin në drejtimin që ata janë duke pritur, por në të njëjtën kohë, ndoshta nga dy hapa të mirë, mund të hidhen tre hapa të këqij, dhe se durimi nuk është i pakufizuar”, konsideroi Vukoviç.

Ai gjithashtu theksoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, përfiton nga zbrazëtirat e caktuara në politikën perëndimore dhe arrin t’i bindë lojtarët kryesorë se në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike i duhet pak më shumë kohë për t’i zbatuar obligimet e ndërmarra në kuadër të dialogut, ndërsa shtoi se Vuçiç shihet gjithnjë e më shumë si “pjesë e zgjidhjes, jo e problemit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore