Kosova

Kosova duhet të zgjidhë çështjen e sigurisë në veri – Perëndimi duhet të veprojë para se të bëhet vonë, shkruan revista gjermane


Ilustrim

Në një artikull të revistës gjermane kushtuar zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht pas sulmit të armatosur terrorist në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, thuhet se ky rast i ka dhënë kahje të re procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Franziska Tschinderle, autorja e artikullit, shkruan se sulmi terrorist i 24 shtator 2023 paraqet një pikë kthese për procesin e dialogut, duke e vlerësuar gati të pamundur rikthimin e ekzekutivit kosovar në tryezën e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin BE-së sikurse “asgjë nuk ka ndodhur”, veçanërisht nëse nuk sanksionohet Serbia.

“Banja ishte një pikë kthese – është e pamundur të kthehesh në tryezën e negociatave sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kosova, për sa kohë që incidenti nuk qartësohet dhe nuk merren sanksione të ashpra, ka çdo të drejtë të ketë rezerva. Kush do të negocionte me një qeveri që mbështet paramilitarët në përpjekje për paqe?”, thuhet në artikullin në fjalë.

Në artikull ngritet nevoja për ndërmarrjen e masave urgjente nga bashkësia e organizuar perëndimore drejt parandalimit të përshkallëzimit, pikërisht për faktin se shpesh janë ngritur paralele midis inkursionit të paramilitarëve serbë në veriun e Kosovës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia nëpërmjet forcave të armatosura të njohur si “little green men”.

“Kosova duhet të zgjidhë menjëherë problemin e sigurisë në veri dhe të mbrojë sovranitetin e saj me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Kjo nuk është vetëm në interesin rajonal, por edhe në interesin e kontinentit evropian”, thuhet në artikullin e revistës gjermane të titulluar: Green men in Kosovo– referencë për veshjet e gjelbëra të paramilitarëve serbë.

Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore