Kosova

2023 ishte viti i të vërtetave alternative për Kosovën: Raportet ndërkombëtare vs. Qeveria


Ilustrim

E vërteta dhe politika nuk mund të qëndrojnë në të njëjtën vijë, thoshte një nga teoricientet politike më me ndikim të shekullit të 20-të, Hannah Arendt.

Me këtë konstatim filozofja amerikane tentonte të argumentonte faktin se autoritetet kanë gjithmonë tendenca për ta paraqitur ndryshe realitetin socio-ekonomike të vendit nga siç është në të vërtetë.

Rreth 60 vjet më pas saktësia e kësaj aforizme qëndron e pa zbehur ndërsa hendeku në mes të vërtetës dhe politikës thellohet dita ditës.

Se e vërteta dhe politika nuk kanë marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën mund të observohet lehtësisht edhe në Kosovë.

Mjafton që të analizohen raportet më kredibile ndërkombëtare që pasqyrojnë objektivisht progresin e përvjetshëm të shtetit dhe deklarimet e krerëve më të lartë shtetërorë të vendit.

Një shembull ekzakt për këtë mund të jetë raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan i publikuar në mars të vitit 2023.

Ndërsa Qeveria aktuale e Kosovës është me gojë plotë luftim i korrupsionit, në matjet e raportit thuhej se viti paraprak, ai 2022, u karakterizua me korrupsion serioz qeveritar.

Në raportin për vitin 2022 përmendej që ligji parasheh ndëshkime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por që Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në tërësi.

“Kanë qenë disa raste të raportimit të korrupsionit në nivel qeveritar. Zyrtarët ndonjëherë janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia për zbatim të ligjit ka rezultuar me këtë problem”, ishte thënë në raport.

Aty ishte përmendur se disa raste të korrupsionit janë apeluar vazhdimisht dhe se sistemi gjyqësor, me raste, e ka lejuar skadimin e afatit të parashkrimit të rasteve.

“Në dhjetor të vitit 2021, Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka identifikuar 11 raste të korrupsionit që kanë rrezikuar parashkrim; në janar shtatë nga këto raste kanë skaduar për shkak të parashkrimit”.

Në raport ishin përmendur edhe Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, si përgjegjëse për luftim të korrupsionit qeveritar.

“Deri në shtator, Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar 29 opinione për raste specifike që potencialisht kanë qenë konflikte interesi dhe aktivitetet që në të ardhmen mund të përbëjnë konflikte interesi. Prokurorët kanë ngritur 150 aktakuza lidhur me korrupsionin dhe për 34 raste janë shqiptuar dënimet deri në tetor”.

Në raportin për vitin 2022 ishte përmendur, po ashtu, që organizatat joqeveritare në Kosovë, por edhe organizatat ndërkombëtare, kanë vënë në pah disa herë dështimet e sistemit gjyqësor për të ndëshkuar rastet e korrupsionit, prandaj shumë pak raste të zyrtarëve të lartë, të përfshirë në këto shkelje, kanë përfunduar me dënime.

Përveç luftimit të korrupsionit, raporti i DASH-it ka hedhur dritë mbi një të pavërtetë tjetër të Qeverisë së Kosovës – atë të shtrirjes së sovranitetit në Veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës, sipas DASH-it, s’ka arritur ta shtrijë autoritetin e saj në Veri gjatë vitit 2022 ndonëse krejt të kundërtën me pompozitet ka proklamuar kryeministri, Albin Kurti, në çdo paraqitje publike.

“Çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në Veri të Kosovës vazhdon të kufizojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj në atë rajon. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të promovuar një mjedis të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në raport.

Një pikturë të zymtë të situatës reale në terren ka pasqyruar edhe raporti i Progresit të Bashkimit Evropian për vitin 2023.

Kosova në të shumtën e fushave të cilat i vlerëson BE-ja morri notën “progres i limituar”.

Ky konsiderohet si niveli më i ulët i progresit.

Më keq është vetëm kur vlerësohet se “nuk ka pasur progres” e edhe më keq kur ka pasur prapakthim.

Komisioni Evropian në raportin e Progresit për Kosovën vlerësoi se “përparim të limituar” është arritur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimit të gjyqësorit, lirisë së shprehjes, Mbrojtjes së Mjedisit dhe shumë fusha tjera.

Në Raportin e Progresit të këtij komisioni për vitin 2023 theksohej se korrupsioni në Kosovë mbetet çështje shqetësuese serioze.

Sipas raportit, Kosova ishte në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor që funksionon mirë.

Raporti  kritika ka pasur edhe për moszbatimin e ligjeve në funksion të luftimit të korrupsionit, përfshirë atë për konfiskimin, duke vlerësuar se vlera e aseteve të konfiskuara mbetet e ulët.

Si problem serioz në raport ishte përmendur funksionimi i Parlamentit ku vazhdon të dominojë polarizimi politik ndërsa shpesh nuk ka kuorum për miratimin e ligjeve, përkundër faktit se shumica qeveritare është e mjaftueshme në Kuvendë.

Progres i limituar ishte vlerësuar edhe në fushën e lirisë së mediave, ku nënvizohej se ka pasur shumë rasteve të presioneve ndaj gazetarëve.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën kishte vlerësuar se nuk ishte shënuar ndonjë progres i dukshëm në fushën e arsimit.

Raporti kishte vënë në pah mungesën e teksteve mësimore të përshtatshme e për moszhvillimin e qëndrueshëm profesional të mësimdhënësve.

Progres nuk kishte pasur as në ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, një ndër pikat kryesore të programit për arsim të partisë në pushtet.

Fokus në raportin e Progresit i ishte dhënë edhe procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet u kritikuan për mungesë të gatishmërisë për fillimin e zbatimit të obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit nga ky vit, por edhe shumë marrëveshjeve nga e kaluara.

Kosova në veçanti në raportin e Progresit u kritikua për moszbatim të zotimeve për themelimin e Asociacionit dhe disa hapave të cilët, sipas raportit, kanë ndikuar në tensionimin e situatës në Veri dhe humbjes së madhe të besimit mes autoriteteve të Kosovës dhe serbëve.

Se Qeveria e Kosovës s’e ka nën kontroll korrupsionin, me gjithë luftën kundër tij, vlerësoi raporti i organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022.

Qeveria e Kosovës, potencoi raporti i Transparency International, duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Ndonëse Raporti i organizatës ndërkombëtare, Transparency International, për vitin 2022 kishte vlerësuar se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit me 41 pikë, rritja e Kosovës në këtë raport vazhdon të jetë larg mesatares së pranueshme botërore dhe asaj të Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër organizata ndërkombëtare, Freedom House, që kryen kërkime dhe avokon mbi demokracinë, lirinë politike dhe të drejtat e njeriut, Kosovën gjatë vitit 2023, e renditi të tretën në listë për përmirësimet e bëra në këtë fushë.

Edhe pse Kosova mbeti në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, u vlerësua me plus 4 pikë për përmirësimin e të drejtave politike dhe të lirive civile.

Sipas raportit të Freedom House marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh në mes të Kosovës dhe Serbisë minuan përparimin demokratik në të dyja vendet.

Përpjekjet e jashtëzakonshme të shoqërisë civile në Kosovë për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike, sipas raportit të Freedom House, u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veri të Kosovës, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhduan të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj.

Raporti përmendi edhe mungesën e suksesit në negociatat mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kosova në World Justice Project, institucioni që matë nivelin e sundimit të ligjit nëpër shtete, bazuar me intervista individuale që i realizon ne akterë të ndryshëm të shoqërisë, në vitin 2023 kishte rënë për një pozitë në renditje.

Vitin 2022 Kosova ishte në pozitën e 57-të në Indeksin e Sundimit të Ligjit të hartuar nga World Justice Project. E gjatë vitit 2023 Kosova kishte rënë për një pozitë, megjithatë vlerësimi me pikë kishte mbetur i njëjtë – me 0.56.

Kosova gjatë vitit 2022 ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit, kurse gjatë vitit 2023 Kosova ndau vlerësim të barabartë me Malin e Zi.

Për transparencën e qeverisë Kosova humbi 0.1 pikë në vlerësimin e indeksit, nga 0.58 në 0.57. Gjatë vitit 2023 u rendit në pozitën e 47-të në nivel global, kurse vitin 2022 kishte qenë një pozitë më lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore