Kosova

Abdixhiku: Udhëhiqemi nga populistë, LDK duhet të fitojë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova aktualisht udhëhiqet nga populistë, duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti, dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka theksuar se fitorja e partisë së tij duhet që të vijë sa më shpejtë.

Këto komente, Abdixhiku i bëri në një ceremoni që u organizua për nder të 34 vjetorit të themelimit të LDK-së, këtë të shtune.

“Sot në këtë përvjetor më duhet të tërheqë vëmendjen e secilit anëtar të LDK-së për sfidat me të cilat përballet republika jonë”, tha ai.

“E udhëhequr nga populistë që zgjedhin mjet për pushtet, e toksikuar në diskursin publik e polarizues në vend, Kosova nuk po arrin as të hedh hapa të mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicionalë”, shtoi.

Lideri i opozitës theksoi se “potenciali ynë arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populiste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet”.

Republika jonë, theksoi lideri i opozitës, “Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj”, duke iu referuar një deklarate të Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili e ka quajtur Kosovën shtet të përkohshëm, duke aluduar kështu në bashkimin me Shqipërinë, pra bashkimin kombëtar.

Prandaj, sipas tij, “prezenca e LDK-së si faktor kyç në shtet është jetike, prandaj këtë prezencë duhet ta sigurojmë sa më parë”. “Në këtë përgjegjësi udhëheqëse, ne duhet të kujdestarojmë me fanatizëm misionin tonë politik”.

LDK në vlerësimin e kryetarit të saj, duhet t’i ruajë parimet themelore të partisë së djathtë, nacional-demokratike, me orientime të qarta euroatlantike.

“LDK në dekadën e katërt duhet të jetë një parti moderne, e kauzave të reja, integruese në familjen euroatlantike, zhvillimore në nevojat e shekullit XXI, transformuese në ritmet shoqërore e përgjegjëse ndaj kërkesave të reja të panjohura të së ardhmes që po na ndërtohet çdo ditë”, beson ai.

Në konkurrencën e tanishme politike, sipas Abdixhikut, partia që ai udhëheqë, duhet të ruajë me fanatizëm origjinalitetin e vet, “të njerëzve të ndershëm, patriotë, të djathtë, të dijshëm, rugovistë, të urtë por kokëfortë e insistues për fatin e popullit dhe të vendit tonë”.

“E njerëzve që gjejnë gjuhën e bashkëpunimit e unitetit shoqëror në Kosovë, e që marrin vendime të matura, të guximshme, historike sikurse të tri dekadave të shkuara”.

LDK-ja, insiston ai, duhet të gjejë e kultivojë proaktivitetin e vet politik.

“Jo për të qenë forcë plotësuese e ndonjë partie tjetër, as për të kërkuar rahatinë opozitare, por për të qenë forcë prijëse larg nga partitë e tjera. Ky është vendi ynë origjinal. Ky është misioni ynë”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka parasysh se “kjo fitore e madhe s’është e lehtë”, por ai është i bindur se ajo “duhet t’i vijë Kosovës sa më parë”.

“Për ta bërë këtë, ne duhet t’i kthehemi qytetarëve tanë; të njëjtëve që për tri dekada na dhanë mbështetje sepse besuan e menduan si ne. Sepse ne, besojmë e mendojmë si ta”, potencoi ai ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore