Kosova

Policia sekuestron sirenat ilegale që i mobilizonin serbët për barrikada në Veri


Ilustrim

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion përmes të cilit është duke i sekuestruar sirenat e alarmit në një objekt në Mitrovicë të Veriut, të cilat janë përdorur nga serbët lokal që nga paslufta për t’i mobilizuar serbët lokal për të dalë në rrugë dhe për t’i kundërshtuar intervenimet e Njësisë Speciale të Policisë, raporton mediumi serb Kosovonline.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Albanian Post, nuk e ka pohuar dhe as mohuar aksionin e organeve të rendit për këtë çështje.

“Nuk mund të konfirmojnë asgjë për këtë çështje. As nuk mund ta pohoj as nuk mund ta mohoj”, tha Elshani duke mos dhënë detaje shtesë.

Ndryshe, sa herë që bien sirenat në Veri, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.

Organet e rendit kanë arrestuar një person këtë të enjte pasi sulmoi një polic në Mitrovicë të Veriut të mërkurën.

Polici kishte raportuar se deri sa ishte në kryerje të detyrës, një person i panjohur me veturë ka tentuar ta godas dhe gjatë tentimit ka goditur veturën zyrtare të Policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë vitit 2023, sfida më e madhe ka qenë ruajtja e integritetit territorial dhe e sigurisë publike.

Ai gjatë fjalimit të tij në Këshillin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se Policia e Kosovës në pjesën veriore është sulmuar rreth 100 herë nga grupe ekstremiste.

“Gjatë këtyre viteve Policia e Kosovës është sulmuar rreth 100 herë nga këto grupe ekstremiste dhe lajmi i fundit është që një sulm e kemi pasur ditën e djeshme ku është rrezikuar jeta e një pjesëtari të policisë, megjithatë situata atje është përmirësuar ndjeshëm, për disa qarqe edhe pabesueshëm mirë”, ka deklaruar Sveçla këtë të enjte.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Sveçla: Rreth 100 herë është sulmuar Policia e Kosovës nga grupet ekstremiste në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore