Lajme

Samira Sabzian varet në agim në Iran, “xhelatët po përdorin varjen për të terrorizuar popullin”


Mbrëmë, aktivistët shpresuan që këtë herë Republika Islamike të mos ishte një republikë islamike.

Por të falte gruan e re 32-vjeçare, e cila kishte një javë në pritje të dënimit me vdekje në burgun Qarchak në jug të Teheranit.

Në agim, pas ezanit të sabahut, Samira u vra nga xhelati, nga dora brutale e regjimit të ajatollahëve.

Ekzekutimi i dënimit ishte caktuar për në 13 dhjetor, por autoritetet iraniane vendosën ta shtyjnë atë me një javë.

Arsyeja nuk është e qartë. Megjithatë mendohet se presioni ndërkombëtar e ka frenuar regjimin, i cili preferon të veprojë në heshtje.

Në vitin 2013, Samira u arrestua me akuzën e vrasjes së bashkëshortit të saj. Një burrë i dhunshëm me të cilin u martua në moshën 15 vjeçare.

Në Iran, kur një grua e dhunuar kërkon ndihmë, policia nuk mund të hyjë në shtëpi. Nëse ajo ikën, gjyqtarët duhet ta “rikthejnë” te burri i saj abuziv.

Samira ishte një nuse fëmijë dhe nga ajo martesë e detyruar kishte dy fëmijë, të cilët i la shumë të vegjël: njëri shtatë vjeç, tjetri vetëm gjashtë muajsh.

Në dhjetë vite burg, ajo nuk ka mundur t’i takojë kurrë.

Një javë më parë, pak orë para se të imagjinonte veten të varur, dy fëmijët e saj të rritur shkuan për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për herë të parë për ta parë në sy.

Ajo hoqi dorë t’i shihte teksa rriteshin edhe nga pas xhamit, atë të burgut, sepse mendonte dhe shpresonte, se ishte e vetmja mënyrë për të marrë falje nga familja e të shoqit.

Sipas ligjit iranian, të afërmit e viktimës mund të zgjedhin nëse do ta falin ose jo. Por në fund nuk mjaftoi as sakrifica më e dhimbshme që mund të bënte dhe zgjodhën varjen.

“Heshtja e ditëve të fundit ka qenë fatale për Samirën”, ka thënë Mahmood Amiry-Moghaddam, themelues i OJQ-së me qendër në Oslo, Iran Human Rights.

“Komuniteti ndërkombëtar duket se nuk e kupton se kur i fikën dritat në vendin tonë, diktatura bën çfarë të dojë”.

Sipas Amiry-Moghaddam, në këto histori, është e rëndësishme të mos fajësohet familja e viktimës.

“Kështu ne luajmë në duart e Republikës Islamike, e cila ia ngarkon përgjegjësinë qytetarëve. Të vetmit xhelat janë ata që përdorin varje për të terrorizuar popullin”.

Samira ishte viktimë e aparteidit gjinor prej vitesh, “martesave të fëmijëve dhe dhunës në familje, kurse sot është viktimë e makinës vrasëse të një regjimi të paaftë dhe të korruptuar”.

Irani mban rekordin botëror për ekzekutimin e grave: në vitin 2023 vari 17.

Në vitin e fundit – të shënuar nga protesta pas vrasjes së Mahsa Aminit – u ekzekutuan 702 persona, thuajse 100 më shumë se një vit më parë.

Në nëntor, 79.

Sakaq, historia e Samirës flet edhe për një tjetër padrejtësi që ndodh me pëlqimin e regjimit: fenomenin e nuseve fëmijë.

Mosha ligjore e martesës për vajzat është 13 vjeç, por nëse babai ose gjyshi i tyre është dakord, ato mund të martohen shumë më herët.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore